Projekti i rrugës Elbasan-Lekaj, gati për 2 vjet – Korridori VIII/ ARRSH shpall kompaninë fituese, me ofertë 75 mln lekë
Projektimi i aksit rrugor Elbasan – Lekaj, që është pjesë e korridorit VIII do të jetë gati pas 2 vitesh. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur konsorciumin e kompanive fituese, me një ofertë prej rreth 75 mln lekësh, teksa në garën tenderuese morën pjesë 6 kompani, por 4 prej tyre u skualifikuan për mospërmbushje të kritereve të tenderit.
Procedura e prokurimit publik u hap në fund të muajit maj, ndërkohë që referuar dokumenteve të tenderit, segmenti Elbasan – Lekaj pritet të ketë një gjatësi prej rreth 40 km.
Kompania projektuese do të duhet të planifikojë lidhjen e tij me bypassin e Elbasanit, që gjithashtu është në fazë projektimi, ndërsa aksi i ri duhet të përfundojë në Lekaj, ku do të kryqëzohet me korridorin Adriatiko – Jonian. ARRSH e argumenton nevojën e projektimit të këtij segmenti të ri me ndërtimet dhe urbanizmin e shpejtë e të pakontrollar në disa raste, që iu bë aksit ekzistues që është bypass-i i Rrogozhinës.
Këto procedura tenderuese vijnë pas përfshirjes së korridorit VIII në Rrjetin Ndëreuropian të Transportit TEN-T, nga Bashkimi Europian. Paralelisht, në 2 segmente të tjerë, në drejtimin nga Elbasani drejt Maqedonisë së Veriut tashmë ka nisur puna.
Korridori VIII është konceptuar për të lehtësuar shkëmbimin e mallrave, njerëzve dhe naftës midis vendeve të BE-së, shteteve të Ballkanit që kanë dalje në Detin e Zi dhe Detin Kaspik dhe shteteve të Azisë Qendrore. Ai nis nga portet italiane të Barit dhe Brindizit, në portet e Durrësit e Vlorës dhe më pas vazhdon drejt Tiranës, Shkupit dhe Sofjes, duke mbërritur deri në portet e Burgasit dhe Varnës në Detin e Zi.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.