Qukës-Qafë Plloçë, rruga që s’mbaron kurrë! – Projekti i vitit 2009/ Mes deklaratave dhe kostove të shtuara, ende larg përfundimit
Aksi rrugor Qukës – Qafë Plloçë u projektua në vitin 2009, por për përfundimin e tij do të duhen të paktën edhe 2 vite të tjerë. Kredia e parë për financimin e kësaj vepre u firmos në shkurt të vitit 2013, nga ish-ministri i Financave, i asaj kohe Ridvan Bode.
Huaja midis Ministrisë së Financave në emër të Qeverise Shqiptare dhe dy institucioneve financiare, Bankës Islamike për Zhvillim dhe Fondi Saudit për Zhvillim, kapte një vlerë totale prej 125 milion dollarë, ndërsa me këtë fond synohej përfundimi i gjithë veprës. Zyrtarisht, punimet për ndërtimin nisën në korrik të vitit 2015, por edhe sot ajo nuk është e hapur për kalimin e automjeteve. Në janar të vitit 2018, ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, teksa inspektonte punimet, deklaroi se rruga do të ishte funskionale në vitin 2019.
“Kompanitë po bëjnë një punë shumë të mirë dhe me zgjidhjen e problemeve të mbetura të projektit, besoj kjo rrugë do të jetë funksionale në vitin 2019 duke kompletuar këtë segment të rëndësishëm, duke afruar Korçën me Tiranën dhe pjesën tjetër të Shqipërisë. Në filozofinë tonë është ajo çka e kemi deklaruar, që duhet të përfundojmë të gjitha projektet e nisura. Fatkeqësisht, megjithëse është thënë që janë filluar rrugë ato asnjëherë nuk kanë qenë plotësisht të financueshme. Njëkohësisht do të hapim dhe ato segmente që kompletojnë arteriet e vendit”, tha ai.
Por, pavarësisht këtyre deklaratave, rruga jo vetëm që nuk përfundoi, por kërkon fonde të konsiderueshme shtesë për përfundimin e saj. Në shtator të vitit 2020, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dekalroi nga foltorja e parlamentit se për të përmbyllur punimet nevojiteshin edhe 105.8 mln USD, prej të cilëve 56.8 mln USD për lotin I dhe II dhe 49 mln USD për lotin III. Po ashtu, Balluku bëri me dije se kjo shumë po synohej të sigurohej përmes kredive.
Nga kjo deklaratë, do të duheshin 2 vjet që në Kuvend të mbërrinte marrëveshja për lotin I dhe II, që u miratua nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese. Ndërkohë që, për lotin III, në gusht të këtij viti u nënshkrua marrëveshja e huasë me Fondin Saudit për Zhvillim, me një vlerë prej 49 mln USD. Përgjatë gjithë kësaj periudhe ka patur deklarata të shumta mbi volumin e punimeve të kryera, duke bërë të vështirë identifikimin e ecurisë së saktë të projektit. Të fundit, u bënë me dije gjatë diskutimit të kredisë në komisionin e së hënës, sipas të cilëve aktulaisht është realziaur 70% e punimeve.
Muka bëri me dije dhe ecurinë e punimeve sipas kilometrave të rrugës. Pas 14 vitesh nga projektimi do të duhen të edhe 2 vjet të tjerë për dorëzimin e rrugës.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.