Rama në Azerbajxhan: Gati studimi i gazifikimit të Korçës, drejt përfundimit studimi i tubit lidhës të TAP-it me TEC-in e Vlorës
Kryeministri Rama ka qënë sot i ftuar nderi i Presidentit Ilham Alijev, duke iu adresuar Samitit të 10-të të Korridorit Jugor të Gazit në Baku, Azerbajxhan.
Në fjalimin e tij Rama deklaroi se “Shqipëria është e pozicionuar strategjikisht në rrugën e gazsjellësit Transatlantik që është një lidhje jetike në Korridorin Jugor të gazit, duke theksuar gjithashu se Shqipëria është 100% e mbështetur si vend në energjinë e ripërtëritshme, por kërkon të diversifikojë burimet e energjisë, që aktualisht mbështeten në burime hidrike.
Kryeministri u ndal te ecuria e projekteve të përbashkëta në fushën e energjisë, ku tanimë është gati studimi i gazifikimit të zonës së Korçës, si hap i parë i programit të shtrirjes së gazit për konsum të përgjithshëm në Shqipëri. Po ashtu, Rama theksoi se është drejt përfundimit studimi i tubit lidhës të TAP-it me TEC-in e Vlorës, ndërkohë që ka nisur investimi për vënien në punë e zgjerimin e kapaciteteve të këtij të fundit.
“Shqipëria dhe Azerbajxhani do të zhvillojnë më tej projekte në interes të përbashkët, në rrugën e një miqësie e partneriteti që vetëm do të forcohet në çdo hap”, tha Rama.
Duke folur për Korridorin jugor të gazit, Rama u shpreh se tashmë ka ndryshuar shumë jetë dhe e ka bërë Europën më të sigurt.
“Ndërsa Europa po mbledh furnizimet me gaz të lëngshëm natyror, korridori jugor i gazit pa asnjë dyshim do të mbetet një prej burimeve të pakta, të qëndrueshme konkurruese të transportimit të gazit që vjen për në BE. Me përqindjen e gazit rus në BE që po bie nga 40 % aktualisht në 8 % dhe së shpejti në 0 % dhe në agjendën e gjelbër dhe në përpjekjet për shkarbonizim në pikën më të lartë, gazi i Azerbajxhanit dhe rajoni Kaspik janë thelbësor për të ardhmen tonë të përbashkët”, u shpreh Rama.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.