Rama: Shqipëria zotëron mbi 50% të kapacitetit për t’u konsideruar gati për anëtarësim në BE!
Gjatë takimit me skuadrën kombëtare të negociatave Rama u shpreh gjithashtu se Shqipëria sot zotëron mbi 50% të kapacitetit për t’u konsideruar gati për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Ai shtoi se “mbi 50% është shumë, duke pasur në konsideratë që ky është vetëm fillimi i procesit”.
“Ju keni dhënë provën me këtë proces që është në një masë të caktuar, jo plotësisht, në dorën tonë që ta përshpejtojmë procesin. Kjo është shumë e rëndësishme që të jetë motivi ynë themelor në fazën ku do të hyjmë. Të përshpejtojmë procesin. E kemi nisur nga shumë mbrapa këtë proces krahasuar me të tjerët. Ju e keni dëgjuar që pararoja e procesit për rajonin ishin Serbia dhe Mali i Zi”, tha Rama.
Sot, vijoi ai, “ne jemi pjesë e pararojës”.
“Kemi fituar shumë nga koha e humbur padrejtësisht sepse na penguan padrejtësisht, por ama ne vazhduam të përgatitemi. Kjo është një nga shkaqet pse ne ishim kaq të fatshëm në këtë proces dhe pse ne kemi mundësi ta përshpejtojmë ende më shumë procesin”, shtoi Rama.
Rama tha se vendi duhet të jemi gati për BE-në shumë përpara se BE-ja të jetë gati për ne. “Ne duhet ta bëjmë këtë jo për BE-në dhe për të dalë para të tjerëve në rajon por për ta sjellë sa më shpejt BE-në këtu, për të bërë që në çdo sektor normat europiane, masat ligjore europiane të instalohen këtu”, shtoi ai.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.