Rënie e mprehtë për naftën – Zbret poshtë 77 dollarëve për fuçi, zhgënjen ekonomia kineze
Nafta po qëndron në rënie të mprehtë në sesionin e sotëm, pasi një dollar më i fortë amerikan kufizoi kërkesën për naftën e papërpunuar, megjithëse rreziqet për rritjen e ndërprerjeve të furnizimit në Detin e Kuq frenuan humbjet. Humbjet u thelluan akoma më shumë në orët e pasdites, pasi të dhënat mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto në Kinë rezultuan zhgënjyese. Nafta Brent e Londrës po tregtohet poshtë 77 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 71 dollarë për fuçi. Ekonomia kineze u rrit me 5.2% në tremujorin e katërt të vitit 2023, një shifër më e ulët se parashikimet e analistëve dhe ngre pikëpyetje mbi kërkesën për naftë nga ekonomia e dytë më e madhe në botë.
Të dyja kontratat u rritën ndjeshëm në sesionin e kaluar, pasi konfliktet e vazhdueshme detare dhe ajrore në Detin e Kuq rritën shqetësimet për furnizimin e tregut, ndërsa anijet po ndryshonin rrugën për të shmangur këtë zonë, duke rritur kostot dhe kohën e dërgesave. Kompania britanike, Shell ishte e fundit që njoftoi shmangien e Detit të Kuq, pas fillimit të sulmeve nga SHBA dhe Britania së Madhe, por prodhuesi amerikan Chevron vijon të transportojë naftë nëpërmjet këtij deti, pavarësisht sulmeve të grupit Houthi, që operon në Jemen dhe mendohet se mbështetet nga Irani. Dollari amerikan po qëndron pranë nivelit më të lartë të një muaji, pas komenteve të zyrtarëve të Rezervës Federale, që kundërshtuan pritshmëritë e tregjeve për uljen e normave të interesit. Dollari më i fortë ul kërkesën për naftë, pasi e bën më të shtrenjtë për zotëruesit e monedhave të tjera.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.