Dollari vijon forcimin ndaj lekut – Euro, paundi dhe franga, të qëndrueshme në tregun e brendshëm
Dollari amerikan është forcuar edhe gjatë ditës së sotme, në raport me lekun, ndërsa monedhat e tjera po shfaqen të qëndrueshme. Monedha e gjelbër është mbështetur nga forcimi i saj në tregjet ndërkombëtare, pasi zyrtarët e FED u shprehën kundër pritshmërive të tregjeve për uljen e interesave në muajin mars. Sipas Ilira 98, dollari blihet me 95 dhe shitet me 96 lekë, euro blihet me 103.5 dhe shitet me 104.2 lekë, franga zvicerane blihet me 110 dhe shitet me 111 lekë, ndërsa paundi britanik blihet me 120 dhe shitet me 121.1 lekë.
Ndërkohë, në tregjet ndërkombëtare dollari po qëndron pranë nivelit më të lartë në 1 muaj, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, pas komenteve të guvernatorit të Rezervës Federale, Christopher Waller, i cili uli pritshmëritë e tregjeve për lehtësimin e politikës monetare në mars, sikurse presin gjerësisht investitorët. “Do na duhet më shumë informacion në muajt e ardhshëm për të konfirmuar nocionin se inflacioni po lëviz në mënyrë të qëndrueshme drejt objektivit prej 2%”, deklaroi Waller të martën.
Pas këtyre komenteve, investitorët vlerësojnë 62% mundësi për një ulje të interesave në mars, nga 77% që vlerësohej në fillim të javës. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 103.3, niveli më i lartë që nga 13 dhjetori. Në anën tjetër, euro ka rënë pranë nivelit më të ulët në 1 muaj, prej 1.088 dollarë dhe u ndikua nga komentet e disa politikëbërësve të BQE, të cilët shprehën pasiguri në lidhje me kohën se kur do të ulen normat e interesit. Paundi britanik ka ndryshuar minimalisht dhe po qëndron në rreth 1.2630 dollarë, pas humbjeve të konsiderueshme një ditë më parë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.