Rihapet gara për kreun e AMF – Dorëzimi i aplikimeve shtyhet deri më 23 tetor
Këshilli I Ministrave ka rihapur procesin e aplikimit për përzgjedhjen e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që do të mbajë detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv. Fillimisht gara u hap më 20 shtator, për shkak të vakancës, pasi Ervin Mete u lirua nga kjo detyrë për t’u emëruar Ministër i Financave dhe Ekonomisë dhe afati I fundit për dorëzimin e aplikimeve ishte 29 shtatori. Por, së fundmi Ekzekutivi ka rihapur këtë garë deri më 23 tetor.
Në njoftimin e bërë publik në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave përcaktohet se kandidati për Anëtar i Bordit të AMF-së duhet të ketë përfunduar ciklin e plotë të studimeve universitare në fushat ekonomike, juridike ose të lidhur me shkencën e aktuarëve dhe të ketë përvojë profesionale të paktën 7-vjeçare, nga të cilat, të paktën 5 vjet në financë-kontabilitet, administrim i shoqërive tregtare, këshillim ligjor i shoqërive tregtare, hartim legjislacioni, shkencë e aktuarëve ose sigurime shoqërore dhe pensione.
Ndërkohë, nuk mund të jenë anëtarë Bordi të AMF persona, të cilët në tre vitet e fundit kanë qenë ortakë, aksionarë, apo anëtarë të organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura; kanë lidhje familjare me personat e parashikuar në shkronjën “a” të këtij paragrafi; në tre vitet e fundit kanë qenë punonjës me kohë të pjesshme apo të plotë në subjektet e mbikëqyrura.
Anëtari i Bordit, që do të mbajë funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, emërohet nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave, pas një procedure përzgjedhëse.
Në rastin konkret, anëtari i Bordit që do të marrë detyrën e Drejtorit Ekzekutiv nuk do të ketë një mandat të plotë 5-vjeçar, por një mandat të pjesshëm, deri në vitin 2025, kur mbyllej mandati i drejtorit të mëparshëm.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.