Rikthehen kontrollet antiinformalitet – Në “sitë”, shoqëritë e sigurimit, media dhe institucionet e arsimit privat

Administrata tatimore do të nisë kontrollet për mosdeklarimin real të pagës së punonjësve në profesione dhe sektorë të caktuar. Sipas analizave specifike të kryera nga kjo Administratë, bazuar në vetëdeklarimin e tatimpaguesve, rezulton se për një numër të lartë punëmarrësish në shumë sekorë është deklaruar paga minimale. Githashtu edhe për një pjesë tjetër të punësmarrësve pagat e deklaruara janë ndjeshëm më të ulëta sesa mesatarja e tregut për këto aktivitete.
Nga rezultatet e arritura gjatë këtyre muajve, si dhe analizës së thelluar të Drejtorisë së Riskut në Administratën Tatimore, krahas 2 sektorëve të vlerësuar me risk më parë ai i ndërtimit dhe tregtisë, janë evidentuar me risk për nëndeklarimin e pagave edhe 2 kategori të tjera:
1- Sektori i Shoqërive të Sigurimeve, Sektori i Mediave dhe Komunikimit dhe Sektori i Institucioneve të Arsimit privat
2- Tatimpaguesit e evidentuar me risk në iniciativën e dhjetorit 2021, por që nuk patën reagim pozitiv.
Administrata Tatimore ka njoftuar tatimpaguesit se do të vijojë kontrollet nëpërmjet zbatimit të planit sektorial për kontrollin e informalitetit të pagave, faza II, në të gjithë territorin. Administrata Tatimore ka informuar në mënyrë të vazhdueshme tatimpaguesit e vlerësuar me risk të lartë, duke dërguar edhe letra të personalizuara në adresë të tyre, me qëllim ndërgjegjësimin dhe inkurajimin e tyre për deklarimin real të pagave për të formalizuar marrëdhëniet ekonomike mes biznesit dhe punëmarrësve të tyre.
Kontrollet e tatimorëve që kulmuan me ngritjen e Njësisë Antiinformalitet, nisën pas publikimeve nëpërmjet mediave të pagave të disa sektorëve, ku pjesa më e madhe e të cilave ishin tejet të ulta.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.