Rritja rekord e punësimit në Spanjë – 780 mijë vende të reja pune të krijuara gjatë vitit 2023!
Shkalla e papunësisë në Spanjë ra në 11.76% në tremujorin e katërt të 2023, nga 11.84% në tremujorin e mëparshëm, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave Spanjolle (INE). INE tha gjithashtu se vendi shtoi 783,000 vende të reja pune në 2023.
“Të dhënat e tregut të punës për vitin 2023 tregojnë forcën dhe qëndrueshmërinë e rimëkëmbjes së ekonomisë spanjolle,” tha Ministri i Ekonomisë, Carlos Cuerpo.
Sipas gjinisë, punësimi u ul me 64,000 për burrat dhe u rrit me 45,000 për gratë. Për sa i përket kombësisë, ai ra me 44,000 në mesin e spanjollëve, duke përfshirë ata me shtetësi të dyfishtë, dhe u rrit me 25,000 në mesin e të huajve.
Shifrat e fundit për Eurozonën, e cila përfshin shtetet e Bashkimit Europian që kanë adoptuar euron si monedhën e tyre kombëtare, tregojnë se shkalla e papunësisë ra në 6.4% në nëntor 2023, nga 6.5% në muajin e kaluar dhe 6.7% një vit më parë.
Në tremujorët e fundit, Spanja ka përjetuar rritje më të fortë të PBB-së në krahasim me ekonomitë e tjera të mëdha europiane. Qeveria parashikon rritje të fuqishme prej 2.4% për vitin 2023.
Të dhënat e PBB-së spanjolle për tremujorin e katërt do të publikohen të martën e ardhshme.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.