Rritje e fortë e kompanive të reja në Rusi – Bashkëthemelues, investitorë nga Kina dhe ish-republikat sovjetike
Pothuajse 10.000 kompani me pronësi të huaj u larguan nga Rusia në 2022 – shin dhe 10 muajt e parë të 2023 – shit. Megjithatë, numri i kompanive në Rusi me bashkëpronarë nga Kina dhe ish-republikat sovjetike është rritur ndjeshëm. Dhe kjo për shkak se Moska sot i ka vënë sytë tregjeve në Lindje, pasi sanksionet gjithëpërfshirëse iu vendosën asaj nga qeveritë e Perëndimit për pushtimin e Ukrainës. Dhe që atëherë, dy vjet më parë, grupet perëndimore janë larguar masivisht nga Rusia, megjithëse vendin e tyre po e zënë kompani të reja nga tregjet alternative. Megjithatë, në të njëjtën kohë, numri i kompanive të reja në Rusi me bashkëthemelues nga ish-republikat sovjetike si dhe Kina u rrit.
Kompanitë me bashkëthemelues nga ish-republikat sovjetike, duke përfshirë Bjellorusinë, Kirgistanin dhe Kazakistanin, përbënin 59% të të gjitha kompanive të reja që operonin në Rusi vitin e kaluar. Kompanitë me bashkëthemelues nga Turqia dhe India përbënin përkatësisht 3% dhe 2% të regjistrimeve të kompanive të reja në këtë periudhë kohore. Sa i përket pjesëmarrjes së Kinës, kompanitë me bashkëthemelues nga ai vend përbënin 25% – ose 1500 në numër – të kompanive të reja në Rusi në 10 muajt e parë të 2023. Megjithatë, nuk duket se hyrjet e reja po përbëjnë numrin e plotë e atyre që janë larguar.
Në mënyrë kumulative, 116.400 persona juridikë privatë me partnerë të huaj u regjistruan në Rusi në fund të vitit 2023, që është një rënie prej më shumë se 1/3 nga maksimumi prej 185.000 njësive të interesave të huaja të regjistruara në vitin 2017. Megjithëse sanksionet perëndimore kanë goditur shumë kompani me pronësi të huaj në vend, fakti që zinxhirët e tregtisë dhe logjistikës kanë ndryshuar drejtim dhe janë kthyer drejt Lindjes ka ndihmuar në nxitja e listimit të kompanive të reja nga tregjet alternative.
Rusia nuk lehtëson tërheqjen e grupeve perëndimore nga territoret e saj. Ajo ka vendosur një numër pengesash të mëdha në proces, duke përfshirë kërkesën që kompanitë të paguajnë donacione për shtetin dhe të shesin asetet e tyre me një zbritje të madhe përpara se të largohen nga vendi. Kompanitë që operojnë në sektorë të rëndësishëm strategjikë – si energjia dhe lëndët e para – gjithashtu kanë nevojë për nënshkrimin e presidentit rus Vladimir Putin përpara çdo shitjeje të aseteve. Vetëm rreth 350 kompani ndërkombëtare kanë përfunduar daljen e tyre nga Rusia. 1.606 kompani të tjera ndërkombëtare vazhdojnë të operojnë gjatë recesionit, ndërsa 1.741 kompani të tjera me pronësi të huaj janë gjithashtu në faza të ndryshme të ndërprerjes së investimeve ose operacioneve të tyre në Rusi.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.