Sa shqiptarë dhe italianë përfitojnë njohje pensionesh? – Të ardhura më dinjitozë për emigrantët. Të drejta të barabarta përfitimesh
Nënshkrimi i Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë, ishte finalizim i negociatave disa vjeçare midis dy shteteve për tu siguruar qytetarëve të drejtat që u takojnë mbi vitet e punës për të cilat kanë derdhur kontribute. Pra nëse një qytetar shqiptar ka punuar për disa vite në Shqipëri dhe më pas është transferuar në Itali, vitet kontributive të punës do të bashkohen për ti siguruar atij një pension dinjitoz. E njëjta gjë do të vlejë edhe për shtetasit italianë.
Por sa qytetarë shqiptarë dhe italianë përfitojnë nga kjo marrëveshje?
Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, nga kjo marrëveshje e cila siguron shpërblim dhe të drejta të barabarta për individë nga të dy vendet, janë rreth 550 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 20,000 shtetas italianë nga zbatimi i së cilës do të sigurojnë bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë.
Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë përfitimet për: pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar; sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen; sigurimin e papunësisë.
Pas firmosjes, marrëveshja para se të hyjë në fuqi duhet të kalojë për ratifikim në parlamentet respektive. Tentativat e para për njohjen e periudhave kontributive mes dy vendeve kanë nisur që në vitin 2009, por duke qenë se ky proces kishte më shumë kosto për Italinë, u zvarritën për afro 15 vjet.
Në ditën e parë të muajit të dytë pas shkëmbimit të dokumenteve të ratifikimit, Marrëveshja do të hyjë në fuqi njëkohësisht me Marrëveshjen Administrative për legjislacionin zbatues të kësaj Marrëveshjeje, që do të bëhet e vlefshme në të njëjtën kohë kur do të hyjë në fuqi kjo Marrëveshje.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.