Analiza Postuar më 4 Qershor 2026, 10:28

Në Shqipëri, mosha po rritet po aq shpejt sa kalon koha/ Në vetëm 11 vite, mosha mediane e popullsisë u rrit nga 34.7 në 45 vjeç

Nga Xhorxhina Deda

Në Shqipëri, mosha po rritet po aq shpejt sa kalon koha/ Në

Shqipëria po përjeton një nga transformimet më të shpejta demografike në Europë. Në vetëm 11 vite, mosha mediane e popullsisë është rritur nga 34.7 vjeç në vitin 2015 në 45 vjeç më 1 janar 2026, duke shënuar një rritje prej 10.3 vitesh. Të dhënat tregojnë se vendi po plaket me ritme dukshëm më të shpejta se Bashkimi Europian, ku mosha mediane është rritur me vetëm 2.1 vite gjatë së njëjtës periudhë.

Mosha mediane është një nga treguesit më të rëndësishëm demografikë, pasi ndan popullsinë në dy pjesë të barabarta: gjysma e banorëve janë më të rinj se kjo moshë dhe gjysma më të moshuar. Rritja e saj tregon se pesha e popullsisë së re po zvogëlohet, ndërsa ajo e moshave të mëdha po zgjerohet.

Në vitin 2015, Shqipëria ishte ndër vendet më të reja të Europës, me një moshë mediane prej vetëm 34.7 vjeç. Një dekadë më vonë, ajo ka arritur në 45 vjeç, duke iu afruar nivelit të vendeve më të plakura të kontinentit. Ndërkohë, mesatarja e Bashkimit Europian është rritur nga 42.8 në 44.9 vjeç, një ndryshim shumë më gradual.

Fenomeni lidhet me disa zhvillime që kanë shoqëruar Shqipërinë gjatë viteve të fundit. Rënia e lindshmërisë, emigracioni i vazhdueshëm i të rinjve dhe rritja e jetëgjatësisë kanë ndryshuar strukturën e popullsisë.

Krahasuar me rajonin, Shqipëria ka kaluar nga një vend relativisht i ri në një vend me profil gjithnjë e më të ngjashëm me shtetet europiane që prej vitesh përballen me plakjen e popullsisë. Në vitin 2025, mosha mediane në Shqipëri rezultonte më e lartë se në disa vende të Ballkanit Perëndimor, si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje Hercegovina, ndërsa diferenca me mesataren europiane është ngushtuar ndjeshëm.

Sipas të dhënave të Eurostat, vendet me moshën mediane më të lartë në Bashkimin Europian janë Italia, Portugalia, Bullgaria dhe Greqia.

Shqipëria 4 Qershor Edel Strazimiri

Çfarë ka ndodhur sot në tregun valutor?

Dollari amerikan e ka nisur këtë të enjte në qëndrueshmëri pas rritjes që regjistroi një ditë më parë duke u blerë mëngjesin e sotëm me 81.5 lekë dhe duke u......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat