Sektori i prodhimit ngre pagat – Ndërtimi, uji dhe menaxhimi i mbetje udhëheqin rritjen në tremujorin e dytë
Instituti i Statistikave ka publikuar së fundmi treguesit tremujorë mbi prodhuesit e të mirave për tremujorin e dytë të këtij viti. Këta tregues sinjalizojnë rritje të indekseve të shitjeve dhe të prodhimit në sektorë të ekonomisë siç janë Industria, Energjia elektrike, Furnizimi me ujë apo Trajtimi dhe menaxhimi i mbetjeve si dhe Ndërtimi. Ajo që bie në sy nga të dhënat është rritja e pagave në çdo sektor të prodhimit përgjatë tremujorit të dytë të këtij vit.
Sektori i industrisë, ku përfshihet industria nxjerrëse dhe përpunuese, regjistron rënie në disa prej indekseve ku më konkretisht indeksi i të shitjeve në volum ka rënë me 9%, ndërsa ai i prodhimit ka rënë me 13.5%. Sa i përket indeksit të numrit të të punësuarve po ashtu vihet re një rënie në sektorin e industrisë me 1.7%, ndërkohë pagat janë rritur me 13.2%
Të dhënat sinjalizojnë rritje për sektorin e ndërtimit gjatë tremujorit të dytë të vitit. Indeksi i shitjeve neto në volum për sektorin e ndërtimit është rritur me 5.2%. Nga ana tjetër, indeksi i prodhimit në volum është rrtiur me 6.5%. Sa i përket numrit të punësuarve dhe pagave rritja regjistrohet me 2.6% dhe 17.8% respektivisht.
Nëse do të analizonim aktivitetin “Energji elektrike, gaz dhe avull”, shifrat tregojnë paraqitet me rritje në të gjitha indekset, ku rritjen më të madhe e regjistron në prodhim me 17.2% dhë në fondin e pagave me 16.4%.
Për sektorin e furnizimit me ujë, dhe trajtimit e menaxhimit të mbetjeve, indeksi i shitjeve neto ka shënuar rënie me 16.9%, krahasimisht me tremujorin dytë të vitit 2022. Nga ana tjetër, indeksi i prodhimit në volum ka shënuar rënie, me 4.1%. Për këtë aktivitet, indeksi i numrit të të punësuarve është rritur me 2.9% dhe po ashtu indeksi i fondit të pagave, me 19.1%.
Xhorxhina Deda/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.