Sesion i qetë për bursat europiane – Investitorët presin fitimet e korporatave, fokusi në Lindjen e Mesme
Bursat europiane po ndryshojnë minimalisht edhe në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët janë të fokusuar te fitimet e korporatave, zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe të dhënat mbi inflacionin. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 po qëndron në rritje të lehtë me 0.1%, ndërsa sektori i telekomunikacioneve kryeson fitimet, në rritje me 0.8%.
Të dhënat e publikuara në SHBA treguan se shitjet me pakicë u rritën më shumë se parashikimet e analistëve, dhe kanë rikthyer shqetësimet se Rezerva Federale mund të rrisë edhe një herë normat e interesit dhe t’i mbajë të larta për një kohë më të gjatë. Edhe shumica e tregjeve në rajonin e Azi-Paqësorit patën një sesion të qetë, ndërsa gjetën një mbështetje nga të dhënat të Kinë, që treguan se ekonomia u zgjerua me një hap më të shpejtë se parashikimet e analistëve përgjatë tremujorit të tretë të vitit.
Ekonomia e dytë më e madhe në botë u rrit me 4.9% në tremujorin e tretë të këtij viti, ndërsa analistët parashikonin një rritje prej 4.5%. Investitorët po presin edhe fitimet tremujore të Morgan Stanley, Netflix dhe Tesla. Ndërsa në Europë, pritet të raportojë fitimet e tyre kompani si ASML, SAP, Volvo dhe Deutsche Boerse. Ndër të dhënat e tjera, inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar rezultoi në 6.7%, duke vijuar presionin ndaj Bankës së Anglisë për të rritur normën bazë të interesit.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.