“Shërbimet online krijuan vështirësi për bizneset” – Bilali: Problematikat po reduktohen. Shtyhen aplikimet për financimin e start-upeve
Mbyllja e sporteleve fizike në vend që nga 1 Maji, ka vendosur në vështirësi bizneset në marrjen e shërbimeve on line.
Në një intervistë për SCAN TV, Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali, shprehet se kjo ka ndodhur për shkak se disa institucione nuk kanë marrë masat e duhura në kohë për t’iu përshtatur procesit të dixhitalizmit. Megjithatë, sipas ministres, tashmë këto problematika po vijnë drejt reduktimit të plotë.
Ndërkaq, së fundmi Ministri i shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes ka vënë në jetë programin për financimin e start up-eve , ku thirrja për aplikime parashikohej të mbyllej më 5 Qershor. Duke qenë se i gjithë procesi kryhet on line dhe janë evidentuar problematika nga ana e aplikantëve, është vendosur shtyrja e afatit me 5 ditë.
Bilali sqaron se një pjesë e mirë e aplikantëve do të skualifikohen për shkak se nuk përmbushin kriteret e start-upit, por konsiderohen si biznese të vogla.
Pas mbylljes së thirrjes do të vijohet puna për përzgjedhjen e ideve innovative fituese dhe parashikohet që në fillim të korrikur të lidhen kontratat me përfituesit. Fondi total i vënë në dispozicion këtë vit është 300 milionë lekë.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.