Shpallet fituesi/Cila është kompania që do të dërgojë në hapësirë satelitët “Albania 1 dhe 2”. Realizimi nga kompania amerikane “Satellogic Usa”. Kosto 6 milion dollarë

Projekti për monitorimin e vendit tonë nga satelitët duket se do të marrë jetë teksa është shpallur së fundmi dhe kompania fituese. Pasi tenderi i parë u anulua në muajin qershor për shkak se nuk kishte ofertë, tashmë është bërë me dije se ka një fitues për monitorimin satelitor të territorit. Agjencia e Prokurimeve Publike njoftoi se është shpallur fituesi për procedurën, “Realizimi i projektit të monitorimit të territorit me teknologji të avancuar (shërbimi satelitor)” për një periudhë 3 (tre) vjeçare të organizuar nga Agjencia e Mbrojtjes Civile, institucion në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.
Autoriteti kontraktor ka shpallur fitues të këtij tenderi kompaninë amerikane “Satellogic USA” Inc me procedurën dialog konkurrues. Shtetit shqiptar do t’i kushtojnë 6 milionë dollar për një kohëzgjatje kohore prej 3 vitesh.
Satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” duhet të ishin ngritur në mars dhe qershor, por kjo nuk u arrit. Për herë të parë ideja e satelitëve u prezantua nga foltorja e Kuvendit nga Kryeministri Edi Rama në tetor 2021 teksa pak ditë më pas ministri Niko Peleshi në datën 7 prill firmosi hapjen e tenderit. Kryeministri asokohe publikoi dhe një bisedë me kompaninë SPACE X, për mënyrën se si do të bëhej lëshimi i satelitit. Por më pas u anulua.
Satelitët dhe dronët inteligjentë sipas tij do të shërbejnë për të patur kontroll të plotë mbi të gjithë territorin e vendit dhe jo për ofensiva ushtarake apo për kërkime në Mars, por do të shpërbejnë për çështje civile të vendit përfshirë këtu luftën kundër krimit të organizuar.
Marinela Lina / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.