Shqipëria del nga monitorimi i Këshillit të Evropës – Gjylameti: Vlerësim për luftën ndaj korrupsionit e daljen nga lista gri e pastrimit të parave
Komiteti i Monitorimit i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i mbledhur në Paris më 6 mars, ka propozuar mbylljen e procedurës së monitorimit në lidhje me Shqipërinë dhe përfshirjen në një dialog postmonitorues me vendin.
Përmes një publikimi në faqen zyrtare të Asamblesë, bëhet me dije se vendimi është marrë në bazë të raportit të përgatitur nga Ionuţ-Marian Stroe, i cili përshëndeti lehtësimin e krizës sistematike politike në vend dhe reformat e zbatuara – në veçanti reformën e gjyqësorit për të siguruar pavarësinë e tij, dhe reformën administrative territoriale, që ka forcuar efikasitetin e vetëqeverisjes lokale.
“Ai gjithashtu vuri në dukje përparimin e rëndësishëm të bërë në luftën kundër korrupsionit ende të përhapur dhe sistematik në Shqipëri, si dhe shqetësimet për ndërthurjen e krimit të organizuar me interesat ekonomike dhe politike në vend”, – thuhet në njoftimin e Asamblesë. Ndërkaq, në një reagim në rrjetet sociale deputetja Blerina Gjylameti, që ishte përfaqësuesja për Shqipërninë në mbledhjen e Parisit, e konsideroi vendimin si certifikim të arritjeve të vendit tonë.
Vlerësim maksimal për reformën në drejtësi, luftën e pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, vëmendjen e shtuar të qeverisë në avancimin dhe konsolidimin e të drejtave të njeriut, vëmendje dhe kujdes më të madh për minoritetet, me ligjin që kemi miratuar në vitin 2017, dalja nga lista gri e MONEYVAL së fundmi në tetor 2023, progresi dhe stabiliteti ekonomik, vëmendje më e madhe ndaj grave, fëmijëve dhe grupeve të margjinalizuara dhe shumë vlerësime të tjera, janë indikatorët që sollën mbështetjen unanime të të gjithë anëtarëve të Komitetit të Monitorimit”, – shkruajti Gjylameti.
Ndërkaq, komisioni shprehu shqetësimin për polarizimin e mjedisit politik, i cili minon sistemin e kontrollit dhe balancimit të vendit dhe kufizon mbikëqyrjen parlamentare. Komiteti u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të trajtojnë shqetësimet dhe rekomandimet në lidhje me luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e pakicave, lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes dhe do të shqyrtojë progresin e bërë në raportin e tij të ardhshëm si pjesë e dialogut pas monitorimit.
Ola Mitre/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.