Shqiptarët “harrojnë” shpejt, sigurohen vetëm pasi përmbyten – Avokatja: Ndërgjegjësimi shumë i ulët, e bëjnë vetëm ata që kanë kredi bankare
Duket se shqiptarët ndërgjegjësohen për sigurimin e pronave nga fatkeqësitë vetëm kur ato ndodhin dhe ekspozohen ndaj dëmeve shumë të mëdha. Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare raporton se për periudhën janar shtator të këtij viti, në total janë paguar vetëm rreth 16 milionë dollarë në portofolin Sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës të kompanive të sigurimeve.
Ky portofol kishte shënuar trende rritëse deri në vitin 2018, kur edhe vendi u godit për disa sezone rresht nga përmbytjtet, për t’u ulur ndjeshëm gjatë tre viteve të fundit.
Në fund të vitit 2018, sigurimet në këtë portofol arritën në 1.67 miliardë lekë, ose mbi 16 milionë dollarë. Rënia e fortë erdhi në vitin 2019, kur totali i primeve në këtë portofol ra me 17%, në nivelin e 1.3 miliardë lekëve, afërisht 13 milionë dollarë. Trendi konfirmohet edhe nga Avokatja Zhuljeta Veizaj, e specializuar në ccështje sigurimesh.
Sipas Veizajt, praktikisht mbetet një portofol i cili i detyrohet në masë të madhe sektorit bankar. Ajo thotë se aktualisht, të vetmit qytetarë që e bëjnë gjumin e qetë nga përmbytjet janë aata që për shkak të kredive bankare janë detyruar të sigurojnë pronat nga zjarri e fatkeqësitë natyrore.
Në nivele modeste mbetet gjithë segmenti i sigurimit të pronave. Sipas të dhënave zyrtare, për periudhën janar tetor të këtij viti janë paguar në total 2.8 miliardë lekë, afërisht 28 milionë dollarë në këto portofole.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.