Shqiptarët, shpenzime rekord për kondicionerë – Bizneset: Vala e të nxehtit ka shtuar kërkesat nga klientët
Ledina Elezi/SCAN
I nxehti përvëlues ka bërë që qytetarët shqiptarë të rrisin shpenzimet e tyre për të blerë pajisje freskuese dhe ftohëse. Për të përballuar valën e të nxehtit që ka kapluar Shqipërinë, shumë shqiptarë i janë drejtuar bizneseve eletroshtëpiake, me qëllim blerjen e kondicionerëve dhe ventilatorëve të ndryshëm.
Kjo rritje e kërkesës nga qytetarët është përkthyer në fitime më të mëdha për bizneset që merren me tregtimin e këtyre pajisjeve. Bizneset kanë raportuar një shitje rekord të kondicionerëve gjatë këtyre ditëve të nxehta të verës dhe sipas tyre, interesi i shtuar nga klientët nuk është reflektuar në rritje të çmimeve nga ana e tyre.
Temperaturat e larta e kanë kthyer ajrin e kondicionuar nga një luks në domosdoshmëri. Krahasuar me të dhënat e CENSIT 2011, censi i vitit 2023 ka treguar një rritje me 27.5% të familjeve që kanë instaluar kondicionerë. Megjithatë, përveç kostos së lartë të blerjes së një kondicioneri, ky i fundit ka një kosto të lartë edhe për sa i takon energjisë elektrike. Sipas të dhënave të fundit të disponueshme nga Enti Rregullator i Energjisë, mesatarisht 37% e konsumit vjetor të energjisë së një familjeje shkon vetëm për ftohjen dhe ngrohjen e hapësirës.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.