Tatimet mbledhin 284 milionë euro më shumë në 6 mujor – Turizmi dhe sigurimet “karikojnë” buxhetin e shtetit
Elisabeta Dosku/ SCAN
Administrata tatimore ka mbledhur 28.5 miliardë lekë apo 284 milionë euro më shumë nga taksapaguesit shqiptarë, por edhe turistët e huaj përgjatë gjysmës së parë të vitit. Të dhënat paraprake nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë një kapërcim të konsiderueshëm të të ardhurave duke vijuar trendin në rritje që ka nisur që në fillim të këtij viti.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të viteve 2022 apo 2021, rritja është shumë më e lartë, ku diferenca më e madhe është në raport me 2021-shin me rreth 67.6 miliardë lekë më shumë, apo 670 milionë euro.
Ndërsa vetëm për muajin Qershor, të ardhurat tatimore duket se janë rritur me 3.2 miliardë lekë apo 32 milionë euro krahasuar me Qershor 2023 dhe shumë më tepër në raport me të njëjtin muaj të viteve të mëparshme.
Kjo rritje vjen nga mbledhja e më shumë të ardhurave nga TVSH, ku rol të ndjeshëm luan rritja e konsumit përgjatë kësaj periudhe që vjen si rrjedhojë e rritjes së pagave, shtimit të fluksit të turistëve dhe rënies së inflacionit.
Po ashtu, ndikim pozitiv kanë kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të cilat kanë shtuar ndjeshëm kontributin në buxhet, për shkak të rritjes së pagave, rritjes së pagës minimale si dhe formalizimit.
Tatimi mbi të ardhurat personale është gjithashtu një zë që ka peshë të rëndësishme në këtë performancë, që i referohet një pjese të mirë taksash që mblidhen nga tatimi mbi pagat, por edhe tatimi mbi transaksionet e pasurive të paluajtshme dhe qiratë.
Tatimi mbi fitimin gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në rritjen e të ardhurave tatimore përgjatë kësaj periudhe.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.