Spanja pret numër rekord turistësh këtë verë – Protestat anti turizëm përfshijnë vendin
Dorina Kurtaj/ SCAN
Gati 41 milionë turistë të huaj, një rekord i ri, pritet të vizitojnë Spanjën këtë verë, ku lëvizja kundër hiperturizmit është në rritje, sipas parashikimeve të publikuara nga Ministria e Turizmit.
Kjo përqindje është 13% më e lartë se ajo e verës së vitit 2023 – kur u vendos rekordi i mëparshëm. Të ardhurat nga turizmi nga vizitorët e huaj vlerësohen të rriten me 22%, në 59 miliardë euro. Nëse këto parashikime konfirmohen, produkti i brendshëm bruto turistik i Spanjës do të kalojë 200 miliardë euro për herë të parë këtë vit.
Destinacioni i dytë më i madh turistik në botë pas Francës, Spanja mirëpriti 85.1 milionë vizitorë të huaj vitin e kaluar, kryesisht britanikë, francezë dhe gjermanë. Një shifër rekord e cila, bazuar në parashikimet e qeverisë, pritet të tejkalohet në masë të madhe këtë vit.
Sipas organizatës së punëdhënësve Exceltur, të ardhurat e sektorit të turizmit të Spanjës pritet të rriten me 5.3% gjatë një viti këtë verë dhe me 4.6% për të gjithë vitin 2024 krahasuar me vitin 2023.
Këto parashikime vijnë pasi protestat kundër mbiturizmit janë shumëfishuar javët e fundit, ku disa mijëra banorë demonstruan sërish për të kërkuar “kufizime” ndaj fenomenit.
Protestuesit, ankohen për ndotjen akustike, ndotjen, mbingarkesën e infrastrukturës së transportit dhe rritjen e çmimeve të banesave, kryesisht për shkak të shndërrimit të shumë apartamenteve në qira turistike.
Ky zemërim ka nxitur shumë bashki dhe rajone të ndërmarrin hapa në përpjekje për të frenuar problemin, duke përfshirë Barcelonën, e cila njoftoi më 21 qershor se donte t’i jepte fund dhënies me qira të apartamenteve turistike deri në vitin 2029, në mënyrë që të lehtësonte banorët në strehim.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.