Zënia e peshkut në “revansh”, rritje me 39 % – Kërkesa e shtuar/ Peshkatarët kapin mbi 1300 ton në 5 muaj
Elisabeta Dosku/ SCAN
Zënia e produkteve peshkore në det ka regjistruar një rritje prej 39% gjatë periudhës janar-maji 2024, krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, nga 979 ton të zëna në 5 mujorin e vitit të kaluar, përgjatë 2024, kjo shifra ka arritur në 1359 ton.
Referuar njoftimit të Ministrisë, kjo rritje vjen si rezultat i punës së profesionistëve të sektorit, por edhe falë mbështetjes së vazhdueshme për naftën pa taksa, rinovimin e flotës, investimet në motorët e anijeve si dhe në pajisjet frigoriferike brenda anijeve, me objektivin kryesor për të rritur konkurrueshmërinë e prodhimit shqiptar.
Së fundmi Ministria e Bujqësisë ka iniciuar ndryshime në ligjin për peshkimin, të cilat synojnë luftimin e peshkimit të paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar por edhe ngritja e një sistemi monitorimi me bazë satelitore për aktivitetet e peshkimit të anijeve të peshkimit me flamur shqiptar kudo që mund të jenë ato anije dhe të aktiviteteve të peshkimit të këtyre anijeve në ujërat ndërkombëtare.
Duke nisur nga viti i ardhshëm ,anijet që përdoren për peshkim në Shqipëri do të duhet të instalojnë në bordin e tyre një sistem automatik identifikimi (AIS). Ndryshimet në ligjin për peshkimin parashikojnë se ky detyrim duhet të përmbushet individulisht nga zotëruesit e anijeve.
Ndryshimet e tjera kanë në fokus zhvillimin e sektorit të peshkimit në vend dhe pritet të sjellin rritje të vëllimit të zënieve, diversifikim të specieve të peshkut të zënë, duke përfshirë edhe ato specie të cilat aktualisht importohen nga operatorë të ndryshëm. Gjithashtu synohet rritja e vëllimit të eksporteve të produkteve peshkore. Vitin e kaluar, flota detare shqiptare rezulton se ka zënë rreth 20 mijë ton peshk, duke njohur rritje nga viti paraardhës.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.