Zhvillimi ekonomik, SHBA dhe Kina po ngadalësohen – Rradha e Bashkimit Europian për të qenë në krye
Dorina Kurtaj/ SCAN
Ekonomia e Eurozonës u rrit ndjeshëm në tremujorin e parë të këtij viti, ndërsa në të njëjtën kohë inflacioni ra ndjeshëm. Instituti Ekonomik Ifo nga Mynihu pret që inflacioni në eurozonë të bjerë nën objektivin prej 2% deri në fund të vitit 2024.
Sipas tendencave dhe parashikimeve ekzistuese, inflacioni duhet të ulet në një mesatare vjetore prej 1.6 % në vitin 2025, që është nën nivelin e synuar të Bankës Qendrore Europiane.
“Ekonomia ka të ngjarë të përshpejtohet ndjeshëm në gjysmën e verës. Të ardhurat reale do të vazhdojnë të rriten. Megjithatë, lehtësimi i politikës monetare dhe rritja e tregtisë globale do të nxisin gjithashtu kërkesën. Prodhimi i përgjithshëm ekonomik në zonën e euros do të rritet me pak më pak se 1% në vitin 2024. Në vitin 2025 kjo rritje duhet të jetë në nivelin e 2%”, shkruan Ifo në analizën e tij.
Ekonomia e Bashkimit Europian filloi një rimëkëmbje më të qartë në fillim të këtij viti, pas një periudhe më të gjatë stagnimi. Megjithëse norma e rritjes prej 0.3 % për tremujorin e parë të 2024-ës është ende “nën potencialin e vlerësuar, ajo i tejkaloi pritshmëritë. Aktiviteti në eurozonë u zgjerua me të njëjtin ritëm, duke shënuar fundin e recesionit të butë të përjetuar në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Ndërkohë, inflacioni në të gjithë BE-në ‘u ftoh’ më tej në tremujorin e parë”, thuhet në analizën zyrtare në faqen e internetit të Komisionit Europian.
Ndonëse normat e interesit për individët tashmë kanë filluar të bien, kreditë bankare deri më tani nuk kanë arritur të rikuperohen, për shkak të shtrëngimit të mëtejshëm të standardeve të kredisë, por veçanërisht për shkak të uljes së kërkesës për kredi nga kompanitë në të gjithë tregun e BE-së.
Megjithatë, ndërsa normat e interesit vazhdojnë të bien, kushtet për zgjerimin gradual të aktiviteteve investuese do të jenë më të mira dhe do të mbështeten më tej nga zhvlerësimi i fortë financiar në tremujorët e mëparshëm.
Përkundrejt perspektivës pozitive për eurozonën dhe Bashkimin Europian në tërësi, instituti i Mynihut parashikon një ngadalësim të rritjes ekonomike kineze në periudhën e verës, pasi rritja e inventarëve nga fillimi i vitit ka të ngjarë të çojë në më pak kërkesë për industrinë e mallrave. Kërkesa e konsumatorëve duhet të mbetet gjithashtu e dobët. Megjithatë, eksportet e mallrave të Kinës pritet të rriten ndjeshëm pasi prodhimi industrial global fillon të rritet përsëri më shpejt. Në përgjithësi, prodhimi i përgjithshëm ekonomik në Kinë ka të ngjarë të rritet me 4.8 % në 2024-ën dhe 4.2 % në 2025-ën.
Japonia parashikohet të rritet me vetëm 1 % për qind gjatë vitit të ardhshëm, kryesisht për shkak të jenit të dobët. Monedha kombëtare është aktualisht në nivelin më të ulët të 38 viteve kundrejt dollarit.
Në përgjithësi, ekonomia globale pritet të rritet me të njëjtin ritëm në 2024 dhe 2025, afërsisht 2.5 %. Tregtia botërore, e cila ra në vitin e kaluar, ka të ngjarë të rritet me rreth 1.5 % këtë vit dhe me pak më pak se 3 % vitin e ardhshëm.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.