‘Javë ferri’ në Shqipëri – Impakt jo vetëm mbi shëndetin, por edhe mbi ekonominë
Ledina Elezi/ SCAN
“Një javë ferri”..kështu e ka cilësuar këtë javë Shërbimit Meteorologjik Ushtarak atë që do të ndodhë më temperaturat këtë javë në Shqipëri. Temperaturat pritet të arrijnë në 42 gradë. Kjo nuk është hera e parë që vendi përjeton temperatura të tilla por zakonisht ato kanë zgjatur 3-4 ditë. Por ndryshe nga viti i kaluar, vala e të nxehtit po zgjat më shumë.
Kjo situatë, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, vjen si pasojë e ndikimit të theksuar të Anticiklonit Afrikan, i cili gradualisht bashkohet edhe me Anticiklonin e Azoreve.
Pra, pritshmëritë janë që vendi të kalojë një javë torturuese ku edhe pse termometri mund të shënojë 42 gradë, lagështira do të bëjë që temperatura të ndjehet më e lartë për trupin e njeriut.
E këtë javë, vendi do të përballet me netë tropikale me temperatura që nuk zbresin poshtë nivelit 28-30 gradë celcius.
Mjekët rekomandojnë që të tregohemi të kujdesshëm për të shmangur ekspozimin e gjatë në diell.
Por valët e të nxehtit nuk janë vetëm një çështje shëndetësore por edhe ekonomike për vendin.
Një nga impaktet e para që sjell për ekonominë është rritja e konsumit të energjisë, si rrjedhojë e përdorimit të zgjatur të pajisjeve freskuese e ftohëse.
Studime të ndryshme kanë dalë në konkluzionin që temperaturat ekstreme kanë një impakt të jashtëzakonshëm në bujqësi pasi dëmtojnë prodhimet. Në listën e impakteve renditen edhe reduktimi i produktivitetit në punë, ngadalësimi i tregtisë globale apo pakësimi i investimeve.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.