Si do të ndahen fondet për ujitjen në 29 bashki? – Projektet kapin vlerën e 18 milionë eurove të ndara në 3 vite
Elisabeta Dosku/ SCAN
Qeveria ka miratuar listën e re të projekteve ku do të alokohen fondet për infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit, duke përfshirë dhe shtesën e bërë në buxhet për këtë qëllim me aktin e fundit normativ.
Referuar vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare, totali i vlerës së plotë projekteve shkon në afro 1.78 miliardë lekë nga 935 milionë që ishte në vendimin e mëparshëm. Ndërsa financimi për këtë vit është 600 milionë lekë nga 340 milionë që ishte përcaktuar. Po ashtu janë rritur edhe fondet për vitin 2025 dhe 2026, respektivisht në 600 milionë lekë dhe 581 milion lekë.
Konkretisht nëse me vendimin e muajit Prill investimet ishin të shpërndara në 17 bashki, tashmë sipas vendimit më të fundit, do të përfitojnë fonde për investime në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit 29 njësi të pushtetit vendor në Shqipëri.
Konkretisht do të përfitojnë bashkitë Fier për rehabilitimi i kanalit ujitës Vjosë – Levan -Fier; Bashkia Shkodër, financim për disa kanale kulluese kryesore; Bashkia Finiq, Cërrik, Korçë, Devoll, Lezhë, Vlorë, Malësi e Madhe, Dimal, Klos, Konispol, Përmet, Divjakë, Lushnjë, Tropojë, si dhe Elbasan. Po ashtu, do të investohet për rritjen e sigurisë së digës dhe përmirësimin e aftësisë ujëmbledhëse të rezervuarit të Kurjan në Roskovec, Bashkia Himarë për rehabilitimi i kanalit ujitës i tokave bujqësore Sasaj-Lukovë-Shën Vasil; njësitë Librazhd, Pogradec, Përrenjas, Bulqizë, Kukës, Libohovë, Delvinë, Poliçan dhe Memaliaj.
Për shkak të shirave gjatë periudhës së sezonit vjeshtë-dimër, vendi ynë përfshihet nga përmbytje tokave bujqësore, në zona të caktuara, për të cilat po merren masa në mënyrë që të reduktohen pasojat.
Me aktin e fundit normativ të miratuar në muajin Gusht, qeveria shtoi 400 milionë lekë fonde në buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë për projektet e reja dhe në vazhdim të këtij institucioni për vitin 2024, reflektuar edhe për vitet 2025-2026, të cilat konsistojnë në sektorin e ujitjes dhe kullimit.
Në 4 muajt e parë të vitit është realizuar vetëm 21% e investimeve të planifikuara në këtë sektor..
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.