Si ka nisur java për tregun valutor? – Rritet dollari, paundi dhe franga. Euro e qëndrueshme përballë lekut
Kjo javë ka nisur në rritje të lehtë për monedhat kryesore, në raport me lekun, me përjashtim të euros, që këmbehet në të njëjtat nivele, krahasuar më mbylljen e javës së kaluar. Sipas agjencisë së këmbimit valutor, Iliria 98, dollari blihet me 95.5 dhe shitet me 96.4 lekë, euro blihet me 103.6 dhe shitet me 104.2 lekë, franga zvicerane blihet me 110.3 dhe shitet me 111.3 lekë, ndërsa paundi britanik blihet me 121 dhe shitet me 122 lekë.
Ndërkohë, në tregjet ndërkombëtare dollari e ka nisur javën në qëndrueshmëri, ndërsa investitorët po presin disa të dhëna ekonomike në SHBA dhe takimin 2-ditor të Rezervës Federale, që përfundon të mërkurën.
Indeksi i dollarit amerikan, që mat ecurinë e monedhës së gjelbër përballë 6 monedhave kryesore ndërkombëtare, po qëndron në rreth 103.5, pranë nivelit më të lartë në 6 javët e fundit. Përgjatë janarit, ky indeks është rritur me rreth 2%, pasi janë ulur pritshmëritë që Rezerva Federale të lehtësojnë politikën monetare në takimin e marsit. Aktualisht, tregjet vlerësojnë 48% mundësi për uljen e interesave në mars, nga rreth 88% në fund të dhjetorit.
Gjatë takimit të kësaj jave, Rezerva Federale pritet të mos ndryshojë normat e interesit, por presidenti Jerome Powell mund të japë ndonjë detaj se kur mund të vijë ulja e parë e tyre. Në anën tjetër, euro po këmbehet në rreth 1.0840 dollarë, ndërsa gjatë janarit ka rënë me rreth 2%, pasi Banka Qendrore Europiane ka shprehur vendosmërinë për t’i mbajtur normat e interesit të larta, në mënyrë që inflacioni të shkojë brenda objektivit prej 2%, nga 2.9% që është aktualisht.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.