Si vizita e Macron në SHBA mund të theksojë unitetin europian!
Këtë të enjte në Shtëpinë e Bardhë ka një program nderi për vizitën e parë shtetërore zyrtare të një presidenti të huaj që kur Joe Biden ka marrë postin në janar 2021. Do të dëgjohen himnet kombëtare franceze dhe amerikane. Ushtria sipas traditës do të shtjerë 21 herë me top dhe krerët e ushtrisë do të salutojnë me nderime ushtarake presidentin francez Emmanuel Macron dhe mikpritësin e tij Biden.
“Kjo është një vizitë e rëndësishme për ne, gjatë së cilës nuk është fjala vetëm për drejtim, por edhe për partneritet”, tha një zëdhënës i pallatit Elysée për mediat në prag të kësaj vizite. “Ne do të angazhohemi në të edhe për projektet gjermano-franceze dhe interesat europiane.” Kësisoj vizita mund të artikulojë edhe unitetin sa u përket marrëdhënieve gjermano-franceze, të cilat kanë pasur së fundi disa fërkime.
Në agjendën e vizitës janë gjithashtu bisedime në fushën e studimeve hapësinore dhe bërthamore, sektorë, në të cilët Franca dhe SHBA kanë marrëveshje konfidenciale. Gjermania dhe Franca javën e kaluar ranë dakord që të intensifikojnë bashkëpunimin në fushën e politikës industriale duke e cilësuar këtë si një “përgjigje e fortë europiane ndaj IRA-s”.
Modeli ekonomik i Gjermanisë konsiston fuqishëm tek eksportet, dhe vendi ka vepruar në të kaluarën sipas motos “ndryshim përmes tregtisë”, p.sh. duke iu referuar Kinës dhe Rusisë. Por që pas pushtimit rus në Ukrainë kjo politikë kritikohet ashpër jo vetëm në Francë, por ka krijuar edhe në Gjermani varësi problematike nga gazi rus.
Edhe sa i përket pozicionimit në aleancën mbrojtëse NATO të dominuar fort prej SHBA-së deri më sot dukej qartë kontrasti gjermano-francez. Ndërsa Macron angazhohet fort për një politikë të BE-së për mbrojtjen dhe gjatë mandatit të tij të parë I turbulloi ujërat, kur e cilësoi NATO-n si me “tru të vdekur”.
Por edhe ky kontrast tashmë duket të jetë tejkaluar, gjë që do të dalë në pah edhe gjatë vizitës së Macron-it në SHBA. NATO u rigjallërua nga lufta e Putin dhe në Europë do të dislokohen së shpejti edhe 300.000 ushtarë shtesë të NATO-s. Uashingtoni përmes ftesës që i ka bërë Francës e pranon rëndësinë e aleancës amerikano-europiane. Presidenti Biden në shtator 2021 gjatë takimit me Macron në Romë për herë të parë e pranoi zyrtarisht, që nisma europiane e mbrojtjes është e rëndësishme dhe plotësuese për NATO-n.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.