Siguria energjetike në Ballkanin Perëndimor – USAID po kontribuon për të integruar tregjet
Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe qeveria greke nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor.
Ky partneritet do të avancojë bashkëpunimin midis subjekteve dhe autoriteteve energjetike në Greqi, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë për të integruar tregjet e tyre të energjisë elektrike dhe për të krijuar një rajon më të lidhur dhe më të sigurt.
USAID ishte nismëtarja e këtij partneriteti në kuadër të nismës SHBA-Evropë “Ura e Energjisë”, që synon të krijojë një rrugë drejt energjisë më të besueshme, të përballueshme për bizneset dhe konsumatorët dhe promovimin e integrimit me tregjet rajonale dhe globale të energjisë. Nëpërmjet kësaj nisme, USAID po krijon linja më të sigurta të furnizimit me energji, duke lidhur sektorin publik dhe privat për të përmirësuar infrastrukturën energjetike dhe mbrojtur infrastrukturën kritike nga fatkeqësitë që variojnë nga përmbytjet deri te sulmet kibernetike.
Deri më tani USAID ka mbështetur Shqipërinë dhe Kosovën për të krijuar bursën e parë të shkëmbimit të energjisë (ALPEX) në Evropën Juglindore. Ky shkëmbim është një hap kritik në sjelljen e rajonit në tregun pan-evropian të energjisë elektrike, duke hedhur bazat për rritjen e investimeve në teknologjitë e energjisë së pastër dhe përmirësimin e sigurisë energjetike.
Gjithashtu, USAID bashkëpunoi me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për të krijuar grupin e parë ndërministror të punës për sigurinë kibernetike në rajon. Grupi i punës, që është zhvilluar edhe në vende të tjera, i jep përparësi veprimeve të qeverive për sigurinë kibernetike dhe fokusohet në identifikimin e sektorëve më të rëndësishëm të infrastrukturës kritike të vendit; zhvillimin e një kuadri ligjor gjithëpërfshirës që specifikon rolet dhe përgjegjësitë e sigurisë kibernetike dhe krijimin e rrjeteve për shkëmbimin e informacionit mbi kërcënimet kombëtare e rajonale dhe përgjigjet e sigurisë kibernetike.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.