Exxon, prodhues kryesor i litiumit për automjetet elektrike – Kompania vendos objektivat dhe nis aktivitetet në Arkansas
Exxon Mobil synon të bëhet një prej prodhuesve kryesorë të litiumit për bateritë e automjeteve elektrike përmes një operacioni shpimi që gjigandi i naftës ka nisur në Arkansas. Kompania në fillim të këtij viti bleu 120 mijë hektarë të një zone gjeologjike në jug të Arkansas të quajtur ‘Formacioni Smackover’ që është i pasur me litium.
Kompania do të fillojë prodhimin e litiumit të nivelit të baterisë në vend që në vitin 2027 dhe synon të furnizojë me mjaft minerale për të mbështetur prodhimin e 1 milion automjeteve elektrike në vit deri në vitin 2030.
Bisedimet me klientët e mundshëm si prodhuesit e automjeteve elektrike dhe baterive janë në vazhdim. Ky proces ndodh në një kohë që kompanitë kryesore të naftës janë nën presion për të adresuar ndryshimet klimatike. Ndërsa Shell dhe BP janë fokusuar në burimet e rinovueshme si era dhe dielli, Exxon po investon 17 miliardë dollarë deri në vitin 2027 për të reduktuar emetimet.
SHBA është shumë e varur nga importet nga Argjentina dhe Kili për nevojat e saj për litium, pavarësisht se ka disa nga depozitat më të mëdha të mineralit në botë, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA. Shtetet e Bashkuara aktualisht kanë vetëm një aktivitet prodhimi të litiumit në shkallë tregtare, në Nevada.
Kërkesa për litium për bateri pritet të gjashtëfishohet në SHBA deri në vitin 2030 pasi vendi po kalon te automjetet elektrike, sipas një raporti nga Li-Bridge, një grup i industrisë së baterive i mbështetur nga Departamenti i Energjisë.
Shitjet e automjeteve elektrike u rritën 50% në tremujorin e tretë të 2023 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas një raporti të muajit tetori nga Cox Automotive. Aktualisht, vetëm 1% e flotës së automjeteve në SHBA është elektrike.
Exxon po përdor teknika shpimi të përdorura në nxjerrjen e naftës dhe gazit për të hyrë në rezervuarët e ujit të kripur të pasur me litium që janë 10 mijë këmbë nën tokë. Sipas kompanisë, litiumi ndahet nga uji i kripur dhe shndërrohet në material të përshtatshëm për bateri.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.