Sondazhi i BQE për eurozonën – Konsumatorët i frikësohen recesionit dhe inflacionit të lartë
Sipas një sondazhi të Bankës Qendrore Europiane, konsumatorët e eurozonës presin një tkurrje të ekonomisë dhe që inflacioni i lartë të ketë pasoja në të ardhurat e tyre vitin e ardhshëm
Sondazhi për pritshmëritë e konsumatorëve, që ofron një kontribut për vendimet e bankave qendrore e që publikohet për herë të parë, tregon që familjet kanë nisur të humbasin besimin në aftësitë e Bankës Qendrore Europiane për të rivendosur inflacionin në objektivin e 2%.
Sondazhi i kryer në muajin qershor tregoi se konsumatori mesatar pret një rritje cmimesh prej 5% në vitin e ardhshëm si dhe një inflacion deri në 2.8% pas tre vitesh.
Kjo e dhënë krahasohet me pritshmëritë për rritje të të ardhurave nominale prej 0.9% dhe shpenzimeve prej 3.9%, gjë që tregon një reduktim të fortë të kapacitetit të kursimit nga ana e familjeve.
Konsumatorët presin gjithashtu që ekonomia të tkurret me 1.3% gjatë 12 muajve të ardhshëm.
Në të kundërt, Banka Qendrore Europiane pret një inflacion mesatar prej 6.8% në vitin 2022, përpara se të bjerë në 3.5% në 2023 dhe 2.1% në 2024. Rritja pritet në 3.7% këtë vit, në 2.8% vitin e ardhshëm dhe 1.6% në 2024.
BQE rriti normat e interesit me 50 pikë bazë muajin e kaluar dhe parashikoi më shumë rritje në muajt e ardhshëm për të luftuar inflacionin rekord të eurozonës, i cili arriti në 8.9% muajin e kaluar.
Për sondazhin Banka Qendrore Europiane interviston çdo muaj rreth 14 mijë të rritur nga Belgjika, Gjermania, Spanja, Franca, Italia dhe Holanda. Këto vende përfaqësojnë 85% të PBB-së së eurozonës dhe 83.8% të popullsisë së saj.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.