“S&P” rishikon në rritje perspektivën e Shqipërisë – Nga e qendrueshme, në pozitive. Konfirmohet vlerësimi B+
Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit të Kreditit “Standard & Poor’s” (S&P), rishikoi në ngritje perspektivën e Shqipërisë në pozitive, nga e qendrueshme, si dhe konfirmoi vlerësimin për kreditë afatgjata dhe afashkurtra në monedhën vendase dhe të huaj në “B+/B”.
Sipas vlerësimit të fundit, pritet që rritja ekonomike e Shqipërisë të zbutet në periudhën 2023-2024, duke reflektuar kërkesën e jashtme më të dobët, përpara se të rikuperohet drejt 4% deri në vitin 2026. Agjencia thekson se deficitet e dyfishta fiskale dhe ato të llogarisë korrente u vendosën të rishikohen për shkak të të ardhurave të forta nga turizmi.
Agjencia parashikon që rritja reale e PBB-së së Shqipërisë të ngadalësohet në 3% këtë vit, nga 4.9% që ishte në 2022, për shkak të kërkesës më të ulët nga Europa. Ndërkohë që, pas këtij viti pritet një rritje drejt 4% deri në vitin 2026 e mbështetur në konsumin e rritur nga turizmi dhe lehtësimin e kushteve ekonomike e financiare globale. Në vlerësim thuhet se boshllëqet e infrastrukturës, një kuadër ligjor disi i dobët, korrupsioni dhe shtrëngimi i tregut të punës vazhdojnë të pengojnë ekonominë e Shqipërisë.
Megjithatë, vendi, i nxitur nga përpjekjet e tij për t’u bashkuar me BE-në pas arritjes së statusit të kandidatit në vitin 2014, ka bërë hapa në rritje në adresimin e këtyre pengesave strukturore.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.