Të gjithë tregjet, në “ngjyrë të kuqe” – Aksionet, metalet dhe kriptomonedhat ndikohen nga forcimi i dollarit
Tregjet financiare kanë rënë ndjeshëm në sesionin e sotëm, ndërsa fokusi është i përqëndruar te Forumi Ekonomik Botëror që zhvillohet këtë javë në Davos të Zvicrës. Indeksi pan-Europian STOXX 600 ka rënë me mbi 1%, ndërsa të gjithë sektorët janë në territor negativ.
Ndërkohë edhe metalet e çmuara janë në rënie të lehtë, kryesisht për shkak të forcimit të dollarit amerikan, që i bën lëndët e para të denominuara në monedhën e gjelbër më të shtrenja për zotëruesit e monedhave të tjera. Metali i verdhë po tregtohet në rreth 2025 dollarë për onz, argjendi po tregtohet në rreth 23 dollarë, ndërsa platini po tregohet në rreth 900 dollarë për onz. Analistët parashikojnë se në terma afatshkurtër, ari do të stabilizohet pranë 2,000 dollarëve, por mund të rritet më tej nëse do të ketë një përshkallëzim të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Në ecurinë e tregut të kriptomonedhave, rënia është rikthyer në sesionin e sotëm, me bitcoin që ka zburitur poshtë 43,000 dollarëve. Rënia është ndikuar nga forcimi i dollarit amerikan, në nivelin më të lartë në 1 muaj përballë monedhave kryesore ndërkombëtare. Në fokus do të jenë edhe argumentet që Coinbase do të japë gjatë një seance gjyqësore në lidhje me çështjen që ka me Komisionin e Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve në SHBA.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.