Të rinjtë shqiptarë “përjashtohen” nga tregu i punës – Rritet papunësia për grupmoshën 15-29 vjeç. Çfarë i dekurajon?
Papunësia e të rinjve në Shqipëri, e cila është edhe kategoria më me shumë potencial, vijon të mbetet problematike për vendin. Të dhënat e INSTAT pe tremujorin e tretë të vitit, tregojnë se pavarësisht se papunësia në tërësi për grupmoshën 15 vjeç dhe lart ka rënë në nivelin 10,5 për qind, nuk ka ndodhur edhe njëjta gjë më papunësinë që përfshin kategorinë e të rinjve 15-29 vjeç.
Shifrat tregojnë se për këtë grupmoshë papunësia është në nivelin 22 për qind, me tendencë rënëse krahasuar me dy tremujoret paraaradhës, por rezulton në rritje krahasuar me të gjithë tremujorët e tjerë duke filluar nga viti 2021 dhe deri në fund të 2022-shit. E thënë ndryshe, në tremujorin e tretë 2021, papunësia tek të rinjtë regjistrohej në nivelin 19.9 për qind, në tremujorin e tretë 2022, niveli i papunësisë arriti në 20.5 %, dhe tashmë është 22 %.
Shkak për rritjen e papunësisë duket se është dekurajimi i të rinjve nga oferta dhe pagat në vend dhe synimi për tu integruar në tregjet europiane të punës. Nga ana tjetër janë bizneset që për punësime kërkojnë një sërë kriteresh dhe aftësish si dhe nuk preferojnë të mbajnë kosto për trajnimin e të rinjve dhe për t’u krijuar atyre eksperiencën e nevojshme.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 2,5 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar ndërsa në total 22 % rezultojnë ekonomikisht jo aktivë.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.