Tenderi 22 mln euro, për aksin e korridorit VIII – ARRSH shpall fitues bashkimin e 4 operatorëve
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituesin e tenderit 22 mln euro për fazën e dytë të zgjerimit të rrugës Elbasan – Qafë Thanë, pjesë e korridorit VIII.
Sipas dokumenteve zyrtare, 2 kompanitë e tjera garuese u skualifikuan për mosplotësim kriteresh. Ndërkohë që, fitues u shpall oferta prej rreth 2.4 mld lekë, pa TVSH, nga bashkimi i 4 operatorëve. Sipas dokumenteve të tenderit gjatësia e segmentit është 3.84 km, ndërkohë që paratë e vëna në dispozicion nuk mjaftojnë për asfaltimin, duke specifikuar se punimet për këtë shtresë rruge nuk janë objekt i këtij tenderi.
Aksi fillon në fshatin Mirakë dhe përfundon 600 m përpara urës të Murrashit, ndërkohë që referuar grafikut të punimeve do të duhen 2 vjet për përfundimin e tij. Ky është segmenti i dytë për të cilin u zhvillua tenderi, teksa në segmentin e parë, që ka një gjatësi prej rreth 5 km në fillim të këtij viti nisën punimet.
Në total, gjatësia e rrugës nga Elbasani në Qafë Thanë është 50.12 km, por të paktën për 1 segment nuk ka nisur ende as faza e projektimit, duke qenë se aktualisht është duke u zhvilluar tenderi për këtë qëllim. Në dokumentet e tenderit rruga Elbasan – Qafë Thanë përshkruhet si shumë e rëndësishme në drejtim të turizmit dhe zhvillimit ekonomik, por shpesh herë me një trafik të rënduar dhe me gjendje jo të mirë të parametrave teknikë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.