Tërmet i fuqishëm në Afganistan: Mbi një mijë viktima, mijëra të plagosur dhe njerëz ende nën rrënoja!
Më shumë se një mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 5.9 që ka goditur juglindjen e Afganistanit mbrëmjen e së martës në kufi me Pakistanin. Një zyrtar i qeverisë vendore konfirmoi për BBC se të plagosurit janë me mijëra. Sipas institutit gjeofizik amerikan, lëkundja u regjistrua 44 kilometra në juglindje të Khost, në një thellësi prej 10 kilometrash. Tërmeti u ndje në një rreze prej më shumë se 500 kilometrash, jo vetëm në Afganistan dhe Pakistan por dhe në Indi.
Dëshmitarë konfirmuan se lëkundjet janë ndjerë dhe në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul si dhe në atë të Pakistanit, Islamabad. Tërmeti ka ndodhur në një orar kur shumë persona ishin në gjumë dhe për këtë arsye numri i viktimave pritet të jetë shumë më i lartë.
Shumë fshatra janë shkatërruar ndërsa ministria afgane e mbrojtjes deklaroi se ka dërguar në zonë shtatë helikopterë, një numër të madh mjekësh, si dhe tenda ushqim dhe ilaçe.
Qeveria e talebanëve i ka bërë apel organizatave humanitare dhe komunitetit ndërkombëtar që të reagojnë menjëherë për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur në mënyrë që të shmanget një situatë katastrofike.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.