Tregu i dorës së dytë, një minierë ari – Sektori pritet të arrijë në 82 miliardë dollarë në vitin 2026
Sipas hulumtimit të GlobalData, tregu global i veshjeve të dorës së dytë do të rritet deri në 127% deri në vitin 2026, pra 3 herë më shpejt se industria e veshjeve në tërësi.
Në SHBA, rritja e kësaj industrie të veçantë arriti në 32% në vitin 2021, një rritje që do të arrijë në 82 miliardë dollarë deri në vitin 2026. Rishitja është një tendencë që është rritur vitet e fundit, pasi shumë konsumatorë kërkojnë opsione më ekonomike, ekologjike dhe origjinale për veshjet e tyre. Nëpër botë ka shumë dyqane dhe faqe interneti që shesin rroba të përdorura me kilogram ose me copë, si dhe platforma që lejojnë shkëmbimin ose shitjen e rrobave midis individëve.
Në një epokë ku qëndrueshmëria dhe riciklimi po shfaqen si vlera themelore, konsumatorët janë më të orientuar drejt formave alternative të konsumit. Brezat e rinj, si Millennials dhe Gen Z, e njohin vlerën e blerjeve të dorës së dytë, jo vetëm si një alternativë ekonomike, por edhe si një mënyrë për të mbrojtur mjedisin.
Sipas hulumtimeve të fundit, 62% e konsumatorëve të rinj preferojnë të bëjnë kërkime tregu për pjesët e përdorura përpara se të blejnë diçka të re, jo vetëm për të kursyer para, por edhe për të zbuluar pjesë ‘vintage’ që mund të shprehin personalitetin e tyre në një mënyrë unike dhe origjinale.
Në të vërtetë, blerja e rrobave të përdorura përputhet me parimet e ekonomisë rrethore duke ndihmuar në reduktimin e mbetjeve dhe duke ndryshuar mënyrën se si ne e perceptojmë modën. Përveç kësaj, aftësia për të ricikluar rrobat që tashmë janë përdorur e bën koston përfundimtare të blerjes së produkteve të modës së lartë shumë më miqësore ndaj konsumatorit.
Ndërkohë, investitorët po i përgjigjen kësaj kërkese në rritje duke krijuar platforma dhe dyqane të veçanta që fokusohen ekskluzivisht në “jetën e dytë” të veshjeve.
Ky treg ka përfituar shumë nga rritja e shpejtë e e-commerce. Nuk është rastësi që shitjet online përbëjnë pjesën më të madhe të tregut të dorës së dytë, çka konfirmon përfundimet e hulumtimit të mësipërm, pra se deri në vitin 2026 tregu online i rrobave të përdorura do të fryhet deri në 4 herë.
Në veçanti, ndërsa deri më tani tregjet online kanë dominuar, në vitet e ardhshme stafetën do ta marrin markat e mëdha të shitjes me pakicë, të cilat po kthehen njëra pas tjetrës edhe në këtë sektor, si dhe shitësit e modës në përgjithësi.
Tregu i veshjeve të përdorura po zhvillon një botë paralele të modës, duke lejuar masat e konsumatorëve të shijojnë produkte nga markat që më parë ishin të papërballueshme. Ky nuk është vetëm një trend, por një ndryshim i madh në mënyrën se si i qasemi modës. Rishitja i lejon konsumatorët të shprehin stilin e tyre, të kursejnë para dhe të mbrojnë mjedisin.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.