Tregu i monedhave, i qëndrueshëm – Investitorët presin takimet e FED dhe BQE, javën e ardhshme
Euro ka rënë lehtë përballë dollarit amerikan, në sesionin e fundit të javës, duke zbritur poshtë 1.09 dollarëve, por megjithatë po tregtohet në nivelin më të lartë në 9 muajt e fundit. Investitorët po tregohen të kujdesshëm, pasi janë në pritje të takimeve të Rezervës Federale dhe Bankës Qendrore Europiane, javën e ardhshme.
Ndërkohë, në raport me jenin japonez dollari ka rënë me rreth 0.4%, pasi të dhënat e publikuara treguan se inflacioni i çmimeve konsumatore u rrit në nivelin më të lartë në 42 vitet e fundit, duke shtuar presionin ndaj Bankës së Japonisë për tu larguar nga stimujt. Që nga e premtja e javës së kaluar, euro është rritur me rreth 0.5% në raport me dollarin amerikan, duke prekur nivelin më të lartë në 9 muajt e fundit.
Analistët presin gjerësisht se, Rezerva Federale do të rrisë normën bazë të interesit me 25 pikë bazë, ndërsa Banka Qendrore Europiane ka shprehur vendosmërinë se norma bazë e interesit do të rritet me 50 pikë bazë. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po tregtohet në rreth 101.7 dhe kjo do të jetë javë e tretë me radhë në rënie.
Në anën tjetër, paundi vijon të tregtohet pranë 1.24 dollarëve, pranë nivelit më të lartë në 7 muajt e fundit. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet në mbi 23 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1585 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.