Tregu monetar, me ndryshime të vogla – Investitorët presin vendimet e FED në mbrëmjen e sotme
Tregu monetar po shfaqet i qëndrueshëm në sesionin e sotëm, me dollarin amerikan që po tregtohet pranë nivelit më të ulët në 1 javë. Investitorët po presin përfundimin e takimit të Rezervës Federale, më vonë gjatë ditës së sotme, që do të pasohet edhe me konferencën për mediat të presidentit, Jerome Powell.
Analistët presin gjerësisht se banka qëndrore amerikane do të rrisë normën bazë të interesit me 75 pikë bazë. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë gjashtë monedhave kryesore ndërkombëtare, po qëndron në rreth 111.3, niveli më i ulët që nga 25 tetori. Referuar të dhënave të tjera, aplikimet për përfitimin e asistencës së papunësisë në SHBA vijuan tendencën në rënie, pagat qëndruan në nivele të larta dhe shpenzimet për ndërtim u rritën.
Këto të dhëna krijojnë më shumë hapësira për Rezervën Federale që të vijojë me politikën monetare shtrënguese edhe në takimin e këtij muaji. Por, për takimin e dhjetorit analistët janë të ndarë nëse rritja e normës bazë të interesit do të jetë me 50 apo 75 pikë bazë. Gjatë këtij viti, ndërkohë, indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan është rritur me më shumë se 15%. Gjithashtu, investitorët po presin edhe vendimin që do të marrë Banka e Anglisë në takimin e së enjtes, dhe vlerësimet janë për një rritje të normës bazë të interesit po me 75 pikë bazë, që do të jetë rritja më e madhe në 33 vitet e fundit. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet në rreth 20,400 dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1560 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.