Turistët në Maqedoninë e Veriut – Nga vendet e rajonit janë serbët ata që e kanë zgjedhur më shumë

Në krahasim me vitin e kaluar, në Maqedoninë e Veriut është rritur numri i turistëve gjatë muajit qershor, ndërsa këtë muaj ka pasur më shumë vizitorë nga Serbia, sipas raportimeve të mediave në vend.
Në Maqedoninë e Veriut vetëm në muajin qershor kanë ardhur 8.420 turistë serbë, nga gjithsej 56.540 turistë të huaj. Greqia fqinje ka sjellë 2.411 turistë, Bullgaria 2.211, Shqipëria 1.709, ndërsa Kosova 1.593 turistë.
Më pak turistë të regjistruar ka pasur nga Bjellorusia, pasi gjatë muajit qershor kanë ardhur vetëm 13 turistë, ndërsa nga Luksemburgu 15.
Ndërkohë, numër i konsiderueshëm turistësh kanë mbërritur në Maqedoninë e Veriut edhe nga Turqia 7.644, Gjermania 3.470, Polonia 3.015, Rumania 2.181, Holanda 2.083, Sllovenia 1.928, Kroacia 1.830, etj.
Në varësi nga cilësia e hoteleve, prej gjithsej 83.532 turistëve të huaj dhe vendorë, në hotele me pesë yje janë vendosur 20.495 turistë, në ato me katër yje 36.074 turistë, kurse në hotele me tre yje janë vendosur 15.204 turistë. Turistët janë vendosur edhe në motele, apartamente turistike, bujtina, shtëpi malesh, kampe dhe forma tjera të akomodimit.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.