Norvegjia regjistron eksporte rekord – Rritja e çmimit të gazit në Europë, shkak për rritjen e eksportit të energjisë

Eksportet e Norvegjisë arritën një rekord në muajin korrik, të nxitura kryesisht nga rritja e çmimeve të gazit natyror që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Agjencia e statistikave të vendit skandinav njoftoi se eksportet norvegjeze arritën në 229 miliard krona – 23.2 miliard euro, muajin e kaluar, 0.4% më i lartë se rekordi i mëparshëm i vendosur në mars të këtij viti.
Suficiti tregtar i Norvegjisë prej 153.2 miliardë korona – 15.5 miliard euro, gjithashtu shënoi rekord të ri.
Norvegjia, një prodhues i madh i naftës dhe gazit në det të hapur, po shënon rritje të eksporteve të energjisë teksa vendet europiane përpiqen të gjejnë alternativa ndaj energjisë ruse.
Që nga pushtimi i Ukrainës nga Moska, Bashkimi Europian ka miratuar ndalimin e importit për qymyrin rus dhe pjesën më të madhe të naftës, por ai nuk përfshin gazin natyror rus sepse blloku prej 27 vende anëtare varet nga gazi për të furnizuar fabrikat, për të prodhuar energji elektrike dhe për të ngrohur shtëpitë.
Megjithatë, presidenti rus Vladimir Putin ka kufizuar eksportet e gazit për të bërë presion ndaj bllokut për të reduktuar sanksionet perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë. BE po përpiqet të mbushë depozitat e gazit përpara dimrit, kur kërkesa rritet dhe kompanitë e shërbimeve ulin rezervat e tyre për të mbajtur shtëpitë të ngrohta dhe termocentralet në punë.
Statistikat e Norvegjisë tregojnë se eksportet e gazit natyror arritën në 128 miliardë krona – 12.97 miliard euro, në korrik, katër herë më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Eksportet më të larta të peshkut dhe metaleve kontribuan gjithashtu në rritjen e eksporteve të Norvegjisë.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.