Inflacioni në Malin e Zi arrin 14,9% – Rritja më e madhe e çmimeve u regjistrua tek lëndët djegëse, nafta dhe perimet

Inflacioni në Malin e Zi regjistroi një tjetër rekord për muajin korrik duke arritur nivelin prej 14,9%. Sipas të dhënave nga zyra e statistikave Monstat, rritja më e madhe e çmimeve u shënua te lëndët djegëse të ngurta, me 49.9 për qind, pasuar nga nafta me 37.6 për qind dhe perimet me 35.8 për qind.
Ndërkohë, buka dhe drithërat u rritën 33.3 për qind, karburantet 32.2 për qind, qumështi dhe vezët 29.3 për qind, shërbimet e akomodimit 29 për qind, mirëmbajtja e apartamenteve 25.3 për qind, mjalti dhe sheqeri 22.6 për qind. Gjithashtu, rritje të ndjeshme pësuan edhe çmimet e mishit (16.6%), frutave (14.1%), transportit rrugor (13.4%) dhe shërbimeve të restoranteve (10.3%). Krahasuar me muajin paraardhës, në korrik çmimet pësuan rritje prej 1,5%, ndërsa si 7-mujor rritja me bazë vjetore ishte 10,5%.
Shifrat e mësipërme shënojnë një record të ri që nga viti 2008, kur Monstat publikon indeksin e çmimeve të konsumit, si dhe që nga futja e euros në Mal të Zi në vitin 2002.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.