Turqia krijon korridor për grurin ukrainas – SHBA: Rusia shet në Afrikë grurin e vjedhur në Ukrainë
Moska ka rënë dakord me Kievin dhe Ankaranë për një skemë paraprake që do të mundësonte daljen nga Odesa të anijeve ukrainase të ngarkuara me grurë. Sipas mediave ruse ushtarët turq do të merrem me çminimin e zonës dhe do të shoqërojnë anijet në ujëra neutrale. Atje do të takohen me anijet ruse dhe do të shoqërohen në Bosfor. Por një skemë e tillë mendohet të jetë miratuar vetëm për Odesën.
Zëdhënësi i presidentit turk Erdogan në një intervistë u shpreh se furnizimet me grurin ukrainas do të mund të rifillojnë shumë shpejt nëpërmjet Detit të Zi dhe ngushticës së Bosforit. Ai shtoi se zhbllokimi i eksportit do të mundësohet nga firmosja e një memorandumi në kuadër të vizitës së ministrit të jashtëm rus Lavrov në Ankara këtë të mërkurë. Ai shtoi se nëse një marrëveshje e tillë do të firmoset transporti nëpërmjet detit do të nisë 3 deri në pesë javë më pas. Kjo pasi fillimisht duhen hequr minat dhe duhet krijuar një korridor sigurie.
Ndërkohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmëruan 14 vende, pjesa më e madhe e të cilave afrikane, se anije ruse të ngarkuara me grurë ukrainas të vjedhur, janë nisur drejt tyre. Burime diplomatike amerikane kanë identifikuar tre anije kargo ruse që dyshohet se transportojnë grurë. Deklarata përforcon dhe më shumë akuzat e qeverisë ukrainase sipas të cilës Moska ka vjedhur deri në 500 mijë ton grurë për një vlerë prej 100 milion dollarësh. Gruri është transferuar fillimisht në portet e Krimesë dhe më pas është ngarkuar në anijet kargo.
Sipas Uashingtonit ideja e Rusisë është që të përfitojë nga gruri i vjedhur duke e shitur në Afrikë. Vendet e interesuara përballen me një dilemë: të refuzojnë grurin e ofruar nga rusët me një çmim të mirë, në një kohë që çmimet po rriten dhe mijëra qytetarë afrikanë vuajnë nga uria, apo të injorojnë paralajmërimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por është pikërisht kjo e dyta, zgjedhja që do të bëjnë pjesa më e madhe e vendeve sipas disa ekspertëve të pyetur nga Nju Jork Times. Numri i madh i personave në prag të varfërisë ekstreme dhe varësia e fortë nga Rusa nuk i lë shumë alternativa. Sipas ekspertëve afrikanëve nuk iu intereson se ku e marrin ushqimin, pasi është aq i domosdoshëm sigurimi i tij sa që nuk ka vend për diskutime
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.