Ujëmbledhës i ri në Kaskadën e Devollit – Ndryshimet e koncesionit, Braçe: Të futen detyrime për veprat vaditëse të tokave bujqësore
Shoqëria “Devoll Hydropower” do kryejë studime shtesë për ndërtimin e një ujëmbledhësi me stacion pompimi, në pjesën e sipërme të lumit Devoll. Shtesa e kontratës koncesionare për optimizimin e shfrytëzimit hidrologjik të këtij lumi dhe hidrocentraleve që tashmë janë ndërtuar mori dakordësinë në Komisionin për Financat dhe Ekonominë.
Ndërkaq, deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe abstenoi, duke ngritur shqetësime mbi ujin e këtij lumi, që përdoret për vaditjen e tokave të Myzeqesë.
Braçe kërkoi që në kontratë të përfshihen detyrime për veprat vaditëse.
Kaskada e Devollit përbëhet nga hidrocentralet e Banjës dhe Moglicës, që tashmë kanë hyrë në prodhim.
Ndërkohë që, sipas të dhënave që janë bërë publike më herët, vlera paraprake e investimit, në rast të finalizimit të projektit, vlerësohet në rreth 900 mln euro.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.