Ujësjellësit përmirësuan eficiencën e energjisë – Kostot e larta për furnizimin me ujë, treguesi u ul në 0,5 kWh/metër kub
Shoqëritë e ujëjsjellësve kanë përmirësuar lehtë treguesin e eficiencës së energjisë, duke ulur kostot e furnizimit me ujë. Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Ujit, gjatë vitit 2023 ky tregues rezultoi në 0.5 kWh/m³, nga 0,65 kWh/m³ që ishte ky tregues një vit më parë. Kjo është hera e parë që raportohet tendenca e eficiencës së energjisë, pasi ky indikator i performancës u shtua një vit më parë.
Kostot e energjisë janë një shqetësim për shoqëritë e ujësjellës – kanalizme, që lindin si pasojë e humbjeve fizike, por edhe cilësisë së pompave të përdorura prej tyre.
Për këtë arsye, më herët studimet e Entit Rregullator të Ujit tregojnë nevojën e rritjes së eficiencës së përdorimit të energjisë elektrike nga shoqëritë UK, si dhe rrugëve të tjera për reduktimin e sasisë së energjisë elektrike të përdorur me anë të uljes së prodhimit të ujit, duke reduktuar humbjet fizike.
Në fakt, Enti në analizën e propozimeve për tarifa të shoqërive UK pranë saj i kushton vëmendje kryesore treguesit të humbjeve dhe në vendimin përfundimtar të miratimit të tarifave i vendos objektiva konkrete shoqërisë për reduktimin e tij.
Gjithashtu, ERRU analizon gjendjen teknike të pompave të përdorura në sistemet e furnizimit me ujë dhe KUN, moshën e tyre si një element mjaft i rëndësishëm i rendimentit dhe konsumit të energjisë elektrike. Ndërkohë që, në rekomandimet e vendimit përfundimtar të tarifave, thekson domosdoshmërinë e hartimit nga shoqëritë UK të planeve të rritjes së eficiencës së energjisë të përdorur prej tyre.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.