Ukraina, 80% rritje të eksporteve bujqësore – U regjistrua në muajin maj, por mbetet më e ulët se niveli i vitit 2021
Eksportet e drithërave, farave vajore dhe vajit të lulediellit të Ukrainës u rritën me 80% në muajin maj, 1.743 milion ton, por vëllimet janë ende dukshëm nën nivelin e eksporteve në po të njëjtën periudhë në vitin 2021. Ministria ukrainase e bujqësisë saktësoi se misri është dhe produkti më i eksportuar: 959 mijë ton, ndërsa eksportet e vajit të lulediellit arritën në 202.650 ton.
Ukraina eksportoi 2.245 milion ton misër dhe 501.800 ton vaj lule dielli në maj 2021.
Ministria ukrainase e bujqësisë konfirmoi se eksportet e grurit të Ukrainës kishin arritur në 47.2 milion ton deri më tani në sezonin 2021/22 korrik-qershor, duke përfshirë 148 mijë ton në pesë ditët e para të qershorit. Vëllimi i përgjithshëm përfshin 18.578 milion ton grurë, 22.4 milion ton misër dhe 5.7 milion ton elb.
Ukraina eksportoi deri në 6 milion ton drithëra një muaj përpara se Rusia të pushtonte vendin, por në muajt e fundit vëllimet kanë rënë në rreth 1 milion ton. Ukraina, një prodhues i madh bujqësor, dikur eksportonte shumicën e mallrave të saj përmes porteve detare, por si pasojë e luftës është e detyruar të eksportojë me tren nëpërmjet kufirit të saj perëndimor ose nëpërmjet porteve të vogla të lumit Danub.
Sipas autoriteteve ukrainase 709.600 ton mallra bujqësore u eksportuan me tren, 798.800 ton përmes porteve dhe trageteve të Danubit dhe 212.089 ton u eksportuan me kamionë. Një total prej 327.900 ton mallra u eksportuan nëpërmjet portit Izmail të Danubit, dhe 398 mijë ton përmes një porti tjetër të Danubit, Reni.
Të dhënat e ministrisë treguan se gjithsej 3.04 milionë ton mallra të ndryshme bujqësore janë eksportuar nga Ukraina në tre muajt e pushtimit rus. Zyrtarët e bujqësisë dhe transportit thanë se Ukraina synon të rrisë kapacitetin e eksportit në portet e lumit Danub, gjë që do të lejonte dërgimin e grurit në portet rumune të Detit të Zi.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.