Vendimet e Qeverisë – Mete: Ligj i ri mbi metodologjinë për shfrytëzimin e kapaciteteve nga operatorët turistikë
Ministri i Financave Ervin Mete ka folur për vendimet e reja mbas mbledhjes së qeverisë ku ka folur për ligjin e ri mbi sektorin e strukturave akomoduese.
“Në ligjin që propozohet sot është parashikuar një dispozitë, ku në vijim të saj, Këshilli i Ministrave do të ketë një qasje ndërvepruese me sektorin, në mënyrë që të hartohet një metodologji që shërben si metodologji referuese për kapacitetet e shfrytëzimit të strukturave akomoduese, sipas sezoneve të caktuara”, tha Mete.
“Në ditët në vijim, Ministria e Financave do të publikojë edhe disa sqarime, lidhur me përgjegjësitë e qiradhënësve në këtë sektor, apo individëve të cilët përdorin platforma, në mënyrë që të jenë sa më të qartë dhe transparentë në përgjegjësitë e tyre tatimore dhe të kemi dhe një qasje sa më bashkëpunuese me tatimpaguesit në mënyrë që t’u përgjigjen këtyre përgjegjësive fiskale, për një tatim sa më të drejtë dhe një kontribut sa më të drejtë të tyre në ekonomi dhe në buxhetin e shtetit” shtoi ministri.
I pyetur nga Elisabeta Dosku për SCAN TV se çfarë do të ndryshojë për qiradhënësit, ka të bëjë me platformat “Booking” dhe “Airbnb”, Mete u shpreh se nuk do të ketë ndryshime për qiradhënësit individualë.
“Ne do të japim një sqarim, në mënyrë që të jenë sa më të qartë për përgjegjësitë e tyre ligjore dhe të hyjnë në një qasje sa më bashkëpunuese edhe nga shërbimi i tatimpaguesit, në mënyrë që të ketë një taksim sa më të drejtë. Ndërsa, ajo që ndryshon me ligjin e sotëm, është vendosja e një dispozite, sipas të cilës për operatorët turistikë do të përcaktohet metodologji për shfrytëzimin e kapaciteteve, sipas sektorëve, e cila pastaj do të jetë metodologji referuese edhe për taksimin e operatorëve, në mënyrë që të ketë një deklarim sa më të drejtë të shfrytëzimit të kapaciteteve të operatorëve turistikë” u shpreh Mete.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.