Vendimi për Skavicën/ Gjykata Kushtetuese: Shoqatat legjitimohen vetëm për pretendimin e të drejtës së informimit
Gjykata Kushtetuese ka dhënë një vendim tjetër për hidrocentralin e Skavicës, duke iu dhënë të drejtë shoqatave vetëm për pjesën e konsultimeve publike lidhur me çështjet mjedisore.
Ndërtimi i këtij hidrocentrali ishte ankimuar në gjykatë me argumentin se projekti sjell pasoja ndërsa pjesë e ankimimit ishte edhe kërkesa ishte për shfuqizimin e tij. Por Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se ankimuesit kanë të drejtën vetëm për çështjen që i përket të drejtës së informimit lidhur me çështjet mjedisore.
“Duke pasur parasysh se ligji e rregullon projektin e Skavicës në dy faza dhe faza e dytë fillon vetëm nëse finalizohet faza e parë, Gjykata vlerësoi se kërkuesit legjitimohen vetëm për pretendimin për cenimin e së drejtës së informimit për çështjet mjedisore. Gjykata vlerësoi se, duke qenë se ligji ndodhet akoma në fazën e parë të zbatimit të tij, shkeljet e konstatuara para miratimit të ligjit mund të riparohen ende përmes ndërmarrjes së hapave konkretë për përfshirjen e publikut në informacion dhe vendimmarrje” shkruhet në vendimin e Gjykatës.
Tre shoqata kishin kërkuar në Gjykatë Kushtetuese shfuqizimin i ligjit të vitit 2021 për procedurën e veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, duke e cilësuar si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Po ashtu, shoqatat kërkonin shfuqizimin e vendimit të po këtij viti për kontratën e fazës së parë për shërbimet teknike të projektit, të nënshkruar mes KESH dhe Bechtel.
Krahas shfuqizimit, shoqatata kërkonin pezullimin e zbatimit të tyre derisa të merrej vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.
Në qershor të vitit të kaluar, Gjykata rrëzoi edhe kërkesën për pezullimin e ligjit, duke mos konstatuar problematika në aspektin kushtetues.
Projekti për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës konsiderohet si një veprat më të mëdha energjetike të vendit. Ndërtimi i Hidrocentralit të Skavicës i jep fund problemit të përmbytjeve të zonës së nën Shkodrës dhe rrit potencialet energjetike të vendit.
Ndërtimi i këtij hidrocentrali ishte projektuar që në vitet ’60, si pjesë e shfrytëzimit të skemës së Drinit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.