Zbehet optimizmi në tregje – Bursat europiane i rikthehen humbjeve, pas rritjes me 3% të martën
Bursat europiane janë hapur në rënie në sesionin e sotëm, pasi optimizmi i një dite më parë është zbehur ndjeshëm. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rënie me rreth 0.5%, ndërsa sektori i automjeteve realizon humbjet më të mëdha në rënie me 1.3%. Në sesionin e kaluar, ndërkohë, bursat europiane u rritën me rreth 3%.
Humori i investitorëve u përmirësua nga rënia e yield-it të obligacioneve të qeverisë amerikane. Tashmë, tregjet po presin të dhënat mbi punësimin për muajin shtator të SHBA, që publikohen ditën e premte. Raporti mund të bindë Rezervën Federale në SHBA të ngadalësojë normën e rritjes së interesave, për të reduktuar edhe mundësitë e një recesioni.
Gjithashtu, fokusi do të jetë i përqëndruar edhe te fitimet tremujore të korporatave për tremujorin e tretë të këtij viti dhe te takimi i Bankës Qendrore Europiane, që zhvillohet më vonë gjatë këtij muaji.
Pritshmëritë janë që institucioni qëndror me bazë në Frankfurt të rrisë normën bazë të interesit, pasi inflacioni për shtatorin u rrit në 10%, kundrejt 9.7% që ishin parashikimet.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.