2023, shqiptarët paguan rreth 220 milionë euro sigurime – Tregu u rrit me 8,8% dhe mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës
Tregu i sigurimeve në Shqipëri e ka mbyllur 2023-shin me një rritje prej rreth 8,8% krahasuar me vitin paraardhës. Të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), tregojnë se gjatë vitit të kaluar shqiptarët paguan thuajse 220 milionë euro për sigurimin e jetës, shëndetit, pronës dhe makinës. Në rritje të ndjeshme kanë qenë edhe kontratat me 10,63%, në 1,466 milionë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.82% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, sigurimet e Jetës me 8.12% dhe risigurimi 0.06 %. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 38.94% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 61.06% të totalit të tregut.
Gjatë vitit 2023, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 6,959 miliardë lekë.
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë vitit 2023 arritën rreth 13,980 miliardë lekë, ose 6.94% më shumë se në vitin 2022. Produkti MTPL e brendshme, pati një rritje prej 8.20% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 9.21% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Produkti Karton Jeshil në vitin 2023 pati një rritje prej 1.16% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Ndërsa kontratat pësuan një rritje të konsiderueshme prej 38.10% krahasuar me vitin 2022. Produkti Sigurim Kufitar, regjistroi rritje 1.11% të vëllimit të primeve të shkruara bruto, si dhe 11,58% të numrit të kontratave.
Këto dy produkte tregojnë qartë tendencën e shqiptarëve për të lëvizur jashtë vendit për pushime. Por, nga ana tjetër edhe ndikimin që ka patur gjatë gjithë vitit nënçmimi i euros në të ardhurat, të cilat regjistruan një rritje modeste në vlerë, ndryshe nga numri i kontratave.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.