Vaji i ullirit me risk të mesëm, inspektime në 94 subjekte – Ekspertja e Ushqimit, Vuksani: Nuk janë parashikuar kontrolle për sigurinë
“Vaji i ullirit do të duhej që të klasifikohej me risk të lartë dhe inspektimet duhet të ishin më të shpeshta përgjatë këtij viti”.
Kështu deklaron ekspertja e ushqimit Ana Vuksani, nisur nga fakti që në 2022, nga kontrollet, rezultoi me nivele të larta të pesticideve.
Janë vetëm 94 subjekte, që do të inspektohen nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Një gjë e tillë përcaktohet edhe në udhëzimin e Ministrisë, publikuar disa ditë më parë në fletoren zyrtare.
Nga studio e emisionit “Box to Box”, Vuksani tha se nuk ka të dhëna se mbi ç’baza është bërë klasifikimi mbi bazë risku, duke shprehur nevojën që për produkte të caktuara të cilat paraqesin risk të lartë dhe janë identifikuar si të tilla, të ushtrohen më tepër inspektime dhe analiza.
Janë mbi 23 mijë operatorë të biznesit ushqimor që do të kontrollohen përgjate këtij viti. Kontrolle do të kryhen për prodhimin primar, përpunimin dhe shpërndarjen.
Referuar dokumentit zyrtar, janë 1635 operatorë të cilët janë klasifikuar me risk të lartë, 8915 me risk të mesëm dhe 13 273 me risk të ulët.
Mbi bazën e këtij kategorizimi është përcaktuar edhe frekuenca e kontrolleve, që varion nga 1 herë në harkun e 18 muajve deri në 3 herë përgjatë një viti.
Ada Hazizolli/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.